Turi i PS në Durrës, Rama: Reformat po japin rezultate

11/11/2015 14:55

Partia Socialiste e vijoj në Durrës turin shpjegues “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”, nga ku kryesocialisti Edi Rama deklaroi se reformat e nisura po japin rezultate.

“Kemi arritur objektivin e rritjes në vitin e parë dhe të dytë deri tani dhe janë objektiva që kanë rikthyer ritmin e rritjes në ekonomi pas vitesh të tëra rënie dhe stanjacioni të plotë. Këtu nuk ka magji, as instrumenta për çudibërje. Këtu ka vetëm një rrugë, të vazhdojmë operacionin. Të gjitha janë të lidhura me njëra-tjetrën. Të përshkojmë të gjitha etapat, pa i kaluar ato. Ndryshe nuk kemi asnjë shans t’ia dalim”, deklaroi Rama.

Ndërkohë, ministri Saimir Tahiri, koordinator i Partisë Socialiste për Tiranën dhe Durrësin, foli për shtimin e anëtarësimeve në PS.

“Ky takim nuk është për të bërë një bilanc, por për të ndarë me njëri-tjetrin motivin për të vijuar me më shumë forcë, duke trokitur në çdo derë, duke biseduar me këdo, duke vijuar me përulje dhe përkushtim atë që kemi nisur më 23 qershor”, tha Tahiri.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dha disa shembuj për situatën në sektorin që ai drejton duke nisur nga Shtatori 2013.

“40 milionë dollarë borxhe institucionet shëndetësore u kishin furnitorëve të ndryshëm, aq sa në atë vjeshtë të 2013-s ishte e pamundur t’u kërkoje furnitorëve të vazhdonin furnizimet pa marrë asnjë qindarkë. Sot kemi një situatë krejtësisht tjetër. Borxhet janë shlyer, pajisjet diagnostikuese janë vënë në regjim mirëmbajtjeje dhe funksionojnë çdo ditë, ka përmirësim të spitaleve me barna dhe materiale mjekësore, por kemi ende punë për të bërë”, tha Beqaj.

Top Channel