Shtohen rastet e diabetit në Berat, çdo vit 200 raste të reja

11/11/2015 16:40

Çdo vit në qytetin e Beratit shtohen 150 deri në 200 raste të reja të të prekurve nga sëmundja e diabetit, ndërkohë që mjekët apelojnë për të kryer analizën e nivelit në gjak në mënyrë të vazhdueshme, për të parandaluar sëmundjen.

Shoqata e Diabetit në Berat, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetit Pubik ka organizuar këtë të mërkurë një fushatë falas në kuadër të muajit kushtuar diabetit, ku qindra qytetarë të grupmoshave të ndryshme kanë matur nivelin e sheqerit në gjak.

Adriana Lapardhaja, mjeke edokrinologe, tha se të rregjistruar si diabetikë pranë Poliklinikës së Specialiteteve në këtë qytet janë 2.500 persona dhe kjo shifër po vjen në rritje nga viti në vit.

“I bëjmë thirrje qytetarëve që herë pas here të bëjnë një kontroll të nivelit të sheqerit në gjak, sepse është më mirë ta parandalojnë sesa ta mjekojnë këtë sëmundje. Po kështu, personat që kanë në familjet e tyre njerëz me diabet të bëjnë kontrolle të herëpashershme, pasi faktori gjenetik është mjaft i rëndësishëm”, deklaroi mjekja.

Ajo cilësoi si shkaqet kryesore të prekjes nga diabeti, faktorin gjenetik, jetën sedentare dhe obezitetin.

Top Channel