Zgjedhjet në Birmani, Presidenti uron Suu Kyin

11/11/2015 16:45

Presidenti i Birmanisë, Thein Sein uroi partinë opozitare të Aung San Suu Kyi-së për suksesin në zgjedhjet e para të lira të organizuara në këtë vend prej gati një çerek shekulli.

Rezultatet janë dhënë deri tani për rreth 50% të vende të Parlamentit, thuajse 90% të të cilave i ka marrë Lega Kombëtare për Demokraci.

Fituesja e nobelit të paqes në 1991-ën, Suu Kyi i dërgoi një letër lidershipit vendas të mbështetur nga ushtria ku kërkon mbajtjen e bisedimeve për pajtim kombëtar.

Zëdhënesi i kreut të shtetit, U Ye Htut u shpreh megjithatë se një takim i tillë mund të ndodhë vetëm kur të jepen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ndërsa këmbënguli se nuk ka asnjë përpjekje të qëllimshme për të vonuar shpalljen e tyre.

Pavarësisht asaj që u përvijua shpejt si fitore dërrmuese e partisë së saj në votimet e së dielës, Suu Kyi po tregohet tepër e kujdesshme në lëvizjet që bën me shpresën se vullneti i popullit do të arrijë të implementohet paqesisht.

Top Channel