“Play-off”-et e Europianit, sfida e parë mes Bosnjes dhe Irlandës këtë të premte

11/11/2015 00:00

Bosnja apo Irlanda? Kjo është një prej dilemave të futbollit europian, që do të zgjidhet në betejën e dyfishtë mes tyre për fazën “play off”, që vlen një biletë në turneun kontinental të Francës vitin që vjen.

90-minutëshi i parë mes ballkanasve dhe ishullorëve do të zhvillohet mbrëmjen e së premtes dhe skuadra e Martin O’Neill është dukshëm jofavorite në një transfertë armiqësore, ku do të synojë të evitojë të paktën golat e pësuar.

Irlanda do të kërkojë t’i bashkohet festës së Anglisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut për kualifikimin në Europian, por së pari duhet të kalojë një pengesë, si formacioni i Bazdareviç.

Bosnje-Hercegovina ka individë që spikatin në arenën kontinentale dhe këtë e tregoi kur u kualifikua në Botërorin e Brazilit. Ballkanasit kanë fituar 3 ndeshjet e fundit në kualifikueset për kampionatin e ardhshëm europian, dhe synojnë të mbyllin diskutimet që në sfidën e parë.

Boshnjakët do të duhet të luajnë pa Muhamed Besiç, që është i pezulluar, ndërsa portieri Begoviç, si dhe Hadziç e Pjaniç janë vetëm një karton larg dënimit. Në kampin tjetër, Irlanda do të luajë pa John O’Shea dhe Walters të premten në mbrëmje. Edhe portieri Given nuk do të jetë ndaj Bosnjës për shkak dëmtimi.

Top Channel