Futbolli në SHBA me normativa të reja; s’ka lojë në ajër nën 10 vjeç

11/11/2015 00:00

Objektivi do të bëhet shumë shpejt një propozim konkret dhe më pas një rregull i shkruar në sportin më popullor në planet, e që do të vlejë fillimisht në SHBA.

Amerikanët kanë vendosur t’i thonë ‘jo’ lojës në ajër deri në moshën 10 vjeç në kategoritë e futbollit të fëmijëve, për të evituar dëmtime që kanë ardhur në rritje sipas statistikave.

Kjo është zgjidhja, që Federata amerikane e Futbollit ka gjetur në përgjigje të një lëvizjeje që po shton radhët mes prindërve, për shkak të dëmtimeve në kokë.

“Ajo çfarë duam të bëjmë është krijimi i parametrave dhe linjave të drejtimit, për të evituar dëmtime potenciale të rënda dhe ekspozimin e fëmijëve ndaj tyre”, tha shefi mjekësor i Federatës amerikane. Mes normativave të pritshme është dhe një relative, për zëvendësimet e përkohshme për ata lojtarë të rinj, që dëmtohen në kokë.

I ashtuquajturi “class action” shpërtheu në 2014-n dhe u drejtua fillimisht kundër FIFA-s, por një gjykatës vendosi se, ishte e mundur që të bëhej kërkesë vetëm ndaj Federatës amerikane. Sipas një studimi, 50 mijë të rinj kanë qenë viktima të traumave në kokë që prej vitit 2010, në ndeshjet e fundit, më shumë se bejzbolli, basketbolli dhe mundja të marra së bashku.

Top Channel