Miqësorja me Shqipërinë, Kosova nis përgatitjet

11/11/2015 17:20

Pasditën e së mërkurës përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar stërvitjen e parë në stadiumin e Prishtinës për miqësoren kundër Shqipërisë. Trajneri i përfaqësueses kosovare, Albert Bunjaku dy ditë para kësa sfide, të cilësuar në Kosovë si festive, tha se gjatë stërvitjes ka parë një atmosferë të mirë brenda ekipit.

“Përgatitjet shkuan mirë. Sot (e mërkurë) kemi punuar me pjesën ofensive. Të gjtihë lojtarët, përveç Enisit, i cili me arsye do të vijë nesër ( e enjte). Mendoj që është një atmosferë shumë e mirë brenda grupit. Shqipëria është një kundërshtar apo një përfaqësuese e cila është shumë e respektuar, tash dihet edhe suksesi në kualifikimet e Kampionatit Europian. Dihet që Shqipëria ka përparësi, është ekip i mirë, mirëpo ne do të mundohemi me të gjitha forcat që ta tregojmë të paktën që meritojmë të luajmë këto lojë.”, tha Bunjaku.

Përveç faktit që kjo ndeshje është një sfidë për ekipin e Kosovës, marrë parsysh sukseset e fundit të Kombëtares shqiptare, për lojtarët kosovarë është një lojë e veçantë dhe vëllazërore.

Mërgim Brahimi, futbollist i përfaqësueses së Kosovës: Është një lojë e veçantë me Shqipërinë, por ne jemi futbollistë dhe për 90 minuta në fushë do të luajmë si në të gjitha ndeshjet e tjera. Besoj që jemi pergatitur mirë, ekipin e kemi të mirë dhe mendoj se do të jetë një ndeshje interesante të premten”, tha Mërgim Ibrahimi, futbollist i përfaqësueses kosovare.

Ilir Berisha, futbollist i përfaqësueses së Kosovës: Besoj që jemi të gatshëm për çdo ndeshje, jo vetëm ndaj Shqipërisë, por për çdo kundërshtarë që do ta kemi në të ardhmen. Patjetër është një ndeshje, siç e quajnë të gjithë vëllazërore dhe është një festë e madhe, mirëpo patjetër që është edhe një sfidë e madhe.

Për këtë ndeshje, Bunjaku ka grumbulluar 19 futbollistë, ndër ta edhe dy lojtarë të cilët luajnë në ekipe zvicerane e që do të jenë për herë të parë pjesë e përfaqësueses së Kosovës.

Ndeshja miqësore mes Kosovës dhe Shqipërisë do të zhvillohet të premten më 13 nëntor në stadiumin e Prishtinës.

Top Channel