Kosovë, 4 persona në pranga për prostitucion

11/11/2015 17:40

Policia e Kosovës njoftoi se pasditën e së martës ka arrestuar 4 persona në Fushë Kosovë për veprën penale “Trafikim me njerëz” dhe “Shërbime seksuale të viktimës së trafikimit”.

Sipas informacioneve të mbledhura pas një pune operative hetimore në terren, hetuesit policorë kanë arritur të lokalizojnë vendqëndrimin e viktimës, shtetase e Shqipërisë, e cila ishte mbajtur nën kontroll të plotë nga personi i dyshuar, po ashtu shtetas i Shqipërisë.
 
“I dyshuari L.S. 38-vjeç, tashmë i arrestuar, me qëllim përfitimi personal e ka detyruar viktimën të kryente shërbime seksuale me persona të ndryshëm me pagesë, kurse tre të dyshuarit e tjerë, D.M. 34-vjeç, H.D. 28-vjeç dhe S.R. 32-vjeç, të tre shtetas kosovarë, janë arrestuar për veprën penale “Shërbime seksuale të viktimës së trafikimit”, thuhet në deklaratën e policisë.

Të dyshuarve, me urdhër të prokurorit, iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme.

Top Channel