Spanjë, gjykata pezullon mocionin katalanas për pavarësinë

11/11/2015 00:00

Gjykata Kushtetuese e Spanjës ka pezulluar mocionin e miratuar nga parlamenti katalanas më herët gjatë javës, që mbështet pavarësinë e rajonit nga Spanja.

Gjykata ka pranuar në këtë mënyrë apelin e qeverisë spanjolle kundër mocionit. Rezoluta e miratuar të hënën i bënte thirrje asamblesë rajonale katalanase që të vendosë për pavarësinë brenda 18 muajsh.

Pak para vendimit të gjykatës, kryeministri Mariano Rajoy e cilësoi mocionin një “zhurmues kundër unitetit të vendit dhe demokracisë”.

“Ky nuk është thjesht një reagim ndaj një mocioni të miratuar në Parlamentin rajonal, por është një veprim në mbrojtje të të gjithë vendit”, tha kryeministri spanjoll Mariano Rajoy, teksa fliste në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së kabinetit të tij qeveritar. Ai u shpreh se rajoni verilindor nuk duhet lejuar të ndahet nga Spanja.

Debati mbi Katalunjën është përshkallëzuar në mënyrë dramatike gjatë javëve të fundit, teksa Mbretëria pritet t’u drejtohet zgjedhjeve kombëtare në dhjetor, duke dominuar fushatat politike të partive si ajo e Rajoyt (Partia Popullore e qendrës së djathtë), e cila bën thirrje për unitet në Spanjë, e duke zbritur diskutimet mbi ekonominë në një rol dytësor, pavarësisht se papunësia ka shkuar në 20%.

“Kjo është një shpërfillje e hapur ndaj institucioneve shtetërore. Ata po mundohen të bëjnë hapa kundër demokracisë, por unë nuk do ta lejoj këtë gjë”, deklaroi Rajoy.

Rajoni verilindor i Spanjës, më i populluari dhe më i industrializuari, përbën rreth një të pestën e prodhimit kombëtar të Mbretërisë. Megjithatë, ai rajon zotëron gjuhën (dialekt) dhe kulturën e vetë, dikur ka qenë prodhues tekstilesh, ndërsa tani synon të shfaqet si një qendër teknologjike.

Por, të mos harrojmë se plazhet mesdhetare dhe Barcelona, kryeqyteti tepër i pasur në aspektin artistik i Katalunjës, përbëjnë edhe një burim të jashtëzakonshëm të ardhurash nga turizmi.

Top Channel