Progresraporti për Maqedoninë, Ahmeti: Pasqyrë reale; Thaçi: Duhej më i ashpër

11/11/2015 00:00

Raporti i progresit, që përmban kritika dhe vërejtje të shumta për Maqedoninë, sipas kreut të BDI-së, Ali Ahmeti paraqet një pasqyrë reale për situatën e përgjithshme në vend.

“Ky raport është për t’u vlerësuar, në një situatë kur shumë njerëz kanë humbur besimin se do të kishte progres këtë vit, kur ka pasur shumë zhvillime dhe të papritura”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Nga ana tjetër, kreu i i PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi vlerëson se Komsioni Europian vazhdon të jetë i butë dhe të përkëdhelë Maqedoninë. Ai mendon se raporti duhej të ishte më i ashpër.

“Nuk i hedh poshtë aspak kritikat e tjera për mungesën e shtetit ligjor, kontrollin e mediave, ndikimin në gjyqësor e kështu me radhë, mirëpo unë vazhdoj të konstatoj se temat kryesore, të cilat do t’i mundësojnë Maqedonisë të ecë përpara janë: çështja e integrimit dhe marrëveshja me Greqinë për emrin, si dhe realizimi njëherë e përgjithmonë i të drejtave kolektive të shqiptarëve”, tha Menduh Thaci, kryetar i PDSH-së.

Udhëheqësit e dy partive shqiptare, BDI dhe PDSH, i kanë bërë këto komente pas takimeve të ndara, që kanë realizuar me ambasadorin e Bashkimit Europian në Shkup, nga i cili kanë pranuar raportprogresin për Maqedoninë, ku thuhet se vendi ka shënuar regres në shumë fusha, si në gjyqësor, media apo luftën kundër korrupsionit.

Problem tjetër, sipas Komisionit Europian, përbën edhe dialogu politik, që ka ndikuar shumë negativisht në procesin e integrimit të vendit.

Top Channel