Vili Kamsi, shkodrani që “merr frymë” nga librat

11/11/2015 00:00

Një jetë kushtuar librave. E tillë mund të quhet ajo e Vili Kamsit nga Shkodra, i cili ka mbase bibliotekën më të pasur në të gjithë Shqipërinë. Së bashku me motrën Mirjam, apo siç e thërret ai Mila, prej 80 vitesh ata lexojnë çdo libër të mundshëm.

89-vjeçari nuk është martuar kurrë, po ashtu dhe Mila, dy vite më e vogël se ai. Librat historikë, shkencorë, letrat apo ata albanologjikë kanë qenë fushat e interesit për ta. Sot, motër e vëlla jetojnë mes mijëra librave në një banesë në qendër të Shkodrës.

Vili ka lindur në Bari në vitit 1926. Djali i vetëm i Gjon Kamsit dhe Roza Daragjatit u rrit në mërgim, prej nga erdhi në Shqipëri në vitin 1943. Falë leximit intensiv, sot ai flet 4 gjuhë, gjë që e ka ndihmuar për të qenë ambasadori i parë i Shqipërisë në Vatikan, në vitin 1993.

Në shtëpi ka mbi 4000 botime të viteve të ndryshme. Ndërsa të lexuarin e ka konsideruar gjithmonë si “fiskulturë” të mendjes dhe pasuri të shpirtit. Vili, padyshim që është një shembull frymëzyes për të rinjtë e sotëm, për të cilët ka një mesazh.

Një gjë është e sigurt, deri sa të ketë frymë, i moshuari do të vazhdojë të lexojë me të njëjtin pasion si dikur.

Top Channel