Pejë, protestë e veteranëve të luftës së UÇK-së kundër kryetarit të Komunës

11/11/2015 00:00

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së protestuan të mërkurën kundër kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. Protesta në Pejë vjen pas intervistës së tij dhënë gazetës austriake “Der Standard”, disa ditë më parë.

Në këtë intervistë, ndër të tjera Muhaxheri ka thënë se “Do të duhen më shumë se 20 vite, që kuadrot e UÇK-së të zhduken nga politika”, duke thënë se ka motive denigruese dhe të verbëra politike, që gjithashtu kanë qëllim njollosjen e vlerave dhe krenarisë së UÇK-së.

Në këtë intervistë, Muhaxheri ka folur më tej për ish-komandantin Ramush Haradinaj, duke ia ngarkuar atij vrasjet që kanë ndodhur gjatë luftës.

Pren Marashi, në emër të “OVL së UÇK”-së në Pejë ka thënë se, kjo organizatë nuk do të lejojë nëpërkëmbjen e vlerave të luftës dhe do ta kundërshtojë ashpër çdo tendencë të tillë, nga kushdo që vjen ajo.

“Kur demagogu dhe dështaku politik, Gazmend Muhaxheri tenton të mashtrojë qytetarët vetëm e vetëm që të mbulojë dështimet e tij, në stilin e ‘kuislingut’ shqipfolës të neofashizmit serbomadh, me qëllime të liga, elektorale dhe me qëllim mbulimin e prejardhjes së tij politike, po bëhet prijës i gjuetisë së orkestruar kundër UÇK-së dhe komandantëve të saj”, është shprehur Marashi gjatë protestës.

Top Channel