Egje, tjetër tragjedi emigrantësh; 14 të mbytur, mes të cilëve 7 fëmijë

11/11/2015 00:00

Të paktën 14 refugjatë, përfshi këtu 7 fëmijë, kanë humbur jetën të mbytur në ujërat e Egjeut, pas përmbysjes së varkës me të cilën ishin nisur nga brigjet turke drejt atyre greke.

Viktimat janë më të fundit në një sërë ngjarjesh të tilla të ndodhura gjatë krizës më të gjatë të emigrantëve, me të cilën po përballet Europa si pasojë e luftës civile në Siri dhe varfërisë së tejskajshme në Lindjen e Mesme apo edhe Afrikën Veriore.

Mbi varkën e përmbysur ishin plot 40 persona, ndërkohë që dëshmitarë të mbijetuar kanë thënë se, “rreth 40-50 emigrantë u sollën në port me një kamion dhe hipën menjëherë në varkë”.

“Mendoj se kapiteni, një sirian, ishte pa eksperiencë. Varka goditi shkëmbinj me të nisur lundrimin dhe më pas u mbyt”, tha një dëshmitar i cituar nga “Euronews”.

Roja Bregdetare turke ka shpëtuar 27 persona të tjerë, ndërkohë që i ka rikuperuar të gjithë trupat e viktimave të mbytur. Ata ishin nisur nga Cannakale drejt ishullit grek të Lesbosit.

Autoritetet bënë të ditur se varka kishte goditur shkëmbinj dhe, pavarësisht kësaj, drejtuesi kishte vijuar lundrimin. Por me t’u mbushur me ujë, ata ishin frikësuar dhe tentuan të ktheheshin në brigje, pa mundur t’i zbrisnin të gjallë disa prej refugjatëve.

Top Channel