Patrullimi në detin e Kinës Jugore, McCain i kërkon sqarime Sekretarit Carter

11/11/2015 00:00

Kreu i komitetit me tepër influencë të Senatit amerikan, ai i Shërbimeve të Armatosura, ka bërë thirrje ndaj Pentagonit të sqarojë publikisht qëllimet ligjore të patrullimit amerikan gjatë muajit të kaluar në vetëm 12 milje detare largësi nga një ishull artificial, të cilin e ka krijuar Kina në ujërat e detit të Kinës Jugore.

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara thanë javën e kaluar se aeroplanmbajtësja amerikane kishte shmangur stërvitjen ushtarake që mund të kishte rritur edhe më tej tensionet me Pekinin gjatë patrullimit të 27 tetorit, kur luftanija “USS Lassen” kaloi pranë arkipelagut Spratly, një veprim që sipas ekspertëve thjesht sa do të forcojë pretendimet e Kinës për sovranitetin e zonave të diskutueshme, ndryshe nga sa mendohet për sfidim të këtyre pretendimeve.

Senatori John McCain, kreu republikan i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura në Senat, ka bërë të ditur përmes një letre të shkruar më 9 nëntor, drejtuar Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Ashton Carter, se është ende jetike të mos ketë keqkuptime në lidhje me objektivat e SHBA-ve.

“Besoj se është kritike, që Departamenti i Mbrojtjes të sqarojë publikisht, qëllimet ligjore pas atij operacioni, por edhe për operacionet e së ardhmes të një natyre të ngjashme me atë”, shkruan McCain në letrën e siguruar nga “Reuters” këtë të mërkurë.

Uashingtoni argumenton se ishujt që Kina ka krijuar në detin e Kinës Jugore nuk janë subjekt i të drejtës për t’u konsideruar kufi territorial bazuar mbi ligjin ndërkombëtar, sepse janë ngritur mbi zona me batica e zbatica të larta.

Kina reagoi ashpër ndaj patrullimit të ndodhur pranë ishullit “Subi Reef”, një veprim që erdhi vetëm pak muaj pas përgatitjeve amerikane për stërvitje ushtarake, por që nuk i mbajti ato. Por, sipas analistëve, nëse “USS Lassen” dështoi të zhvillonte stërvitje ushtarake, operacioni do të ngjasonte me atë që njihet si “kalim i pafajshëm” dhe thjesht sa do të përforconte pretendimet e Kinës për kufijtë territorialë të saj përreth këtij ishulli.

McCain i ka bërë thirrje Carterit të sqarojë se, cilat pretendime të tepruara anija “Lassen” synonte të sfidonte dhe a kishte operuar luftanija nën rregullat e “kalimit të pafajshëm”. Një kalim i tillë ndodh kur një anije kalon tranzit me shpejtësi në ujërat territoriale të një tjetër vendi, dhe ndodh vetëm në ujërat që i përkasin atij vendi.

Zyrtarët e Pentagonit kanë dhënë përshkrime të ndryshme dhe kontroverse mbi manovrën e “USS Lassen”.

Top Channel