Siri, kundërshtarët e Assadit refuzojnë propozimet e Rusisë për krizën

11/11/2015 00:00

Përfaqësues të opozitës ruse dhe analistë nga vendet e Gjirit Persik kanë hedhur poshtë këtë të mërkurë projektpropozimet e Rusisë për procesin reformues në zgjidhje të krizës së Sirisë, duke thënë se synimi i Moskës është të mbajë Presidentin Bashar al-Assad në pushtet dhe të margjinalizojë zërat kundërshtarë.

Më i ashpër është treguar ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, i cili është shprehur se nëse largimi i Assadit nuk arrihet në rrugë paqësore, atëherë do të arrihej përmes rrugëve ushtarake, e megjithatë ai nuk adresoi aspak propozimin rus.

Projektdokumenti i publikuar nga “Reuters” gjatë së martës tregonte se Moska do të dëshironte që Damasku dhe grupe opozitare të paspecifikuara të binin dakord në nisjen e një procesi reformues prej 18 muajsh, që do të pasohej nga zgjedhjet e parakohshme presidenciale.

Rusia, e cila së bashku me Iranin kanë qenë aleatët kryesorë të Assadit gjatë gjithë konfliktit afro 5-vjeçar, ka mohuar që një dokument i tillë të jetë përgatitur përpara raundit të dytë të bisedimeve ndërkombëtare në Vjenë, që do të zhvillohet këtë javë.

Teksti i atij projektdokumenti nuk përjashtonte pjesëmarrjen e Assadit në zgjedhjet e parakohshme presidenciale, diçka që kundërshtarët e tij e konsiderojnë si të pamundur, nëse vërtet do të duhet të arrihet paqja në Siri.

“Populli sirian nuk e ka pranuar kurrë diktaturën e Assadit dhe nuk do ta pranojë kurrë, që kjo diktaturë të riparaqitet apo riformulohet në një tjetër mënyrë”, tha Monzer Akbik, anëtar i Koalicionit Kombëtar Sirian të mbështetur nga Perëndimi. “Rusët janë duke u përpjekur të luajnë lojën, që kanë luajtur në fakt që prej bisedimeve të Gjenevës”, tha ai për “Reuters”, duke iu referuar bisedimeve të paqes të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara që dështuan në vitin 2014.

Duke folur për reporterë në Nju Jork, ambasadori britanik në Kombet e Bashkuara, Mattheë Rycroft minimizoi rëndësinë e propozimit rus, ndërkohë që mirëpriti përfshirjen aktive të Moskës në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për t’i dhënë fund konfliktit sirian.

Top Channel