“Fiks Fare”, burokracia e institucioneve lë pa pagesën e invaliditetit Eduart Lekajn

11/11/2015 00:00

“Fiks Fare” ka sjellë historinë e Eduart Lekës, 21-vjeçarit që jeton në Vorë. Ai ka lindur i paralizuar, vuan nga një paralizë e përhershme dhe nuk ka ecur kurrë në jetën e tij.

Ai po ashtu vuan edhe nga një deformim i trupit dhe me kalimin e viteve sëmundja e tij sa vjen e rëndohet. Eduarti nuk është në gjendje të kryejë nevojat e tij pa ndihmën e dikujt tjetër.

Deri para pak kohësh ka marrë asistencën ekonomike, mirëpo si pasojë e burokracive të institucioneve shqiptare, në këtë rast të KEMP-it epror dhe Bashkisë Vorë, Eduarti prej shtatorit të 2014 nuk merr pagesën për invaliditet.

Dilaver Leka, babai i invalidit: Kemi marrë 250 mijë lekë (të vjetra) si pagesë për djalin dhe 100 mijë lekë (të vjetra) gruaja si kujdestare, gjithsej 350 mijë lekë (të vjetra). Mirëpo, tani na e kanë ndërprerë fare. Nuk më kanë thënë asnjëherë pse ka ndodhur kjo. 

Familja posedon edhe librezën e identitetit si përfitues të ndihmës ekonomike për personat me statusin e invalidit. Libreza është lëshuar më 17 shkurt 2014 ndërsa aty shkruan “se është e vlefshme për 3 vjet nga momenti i lëshimit të saj” që do të thotë se libreza edne nuk ka skaduar.

Deliver Leka: Ai (djali) kërkon 180 mijë lekë (të vjetra) ilaçe në muaj. Ku t’i marrë unë? Unë s’kam pension, gruaja s’ka pension. Këtë muaj s’ia kam marrë ilaçet se nuk kam pasur me çfarë t’ia marrë. Këtë muaj është pa mjekim.

Zelie Leka, nëna e invalidit: E kam pasur para tre ditësh me temperaturë mezi e kam mbajt. Ka shumë dhimbje dhe e çoj përherë te spitali për mjekim. Ju lutem, na ndihmoni!.

Eduard Leka: Do të doja të kisha një karrocë me bateri, të dilja, të pija një kafe, këtë dua unë. Këtë që e kam tani është shumë e vjetër.

Rreth 700 dosje invalidësh u gjetën me shkelje nga task-forca e ngritur në vitin 2013 për verifikim të personave me aftësi të kufizuar. Një ndër dosjet me parregullsi ishte edhe ajo e Eduart Lekës.

Besim Murati, mjek, SHSSH: Ka qenë përfitues i statusit të tetraplegjikut që nga viti 2007, para një viti u ngrit task-forca për kontrollin e këtyre dosjeve. Problemi në dosjen e Eduart Lekajt është se “nuk ka konfirmim nga Qendra Universitare, por e ka bërë në poliklinikë”, kjo ishte shkelja nga ana dokumentare. Pastaj, me urdhër të drejtorit të përgjithshëm, të gjitha këto dosje me shkelje do të rikomisionoheshin në Komisionin rajonal. U komisionua në nëntor të viti 2014 dhe Komisioni me vendim unanim mendoi që ky nuk është tetraplegjik ose paraplegjik që të përfitonte këtë status dhe për këtë, i ati Dilaver Leka, u drejtua me një ankesë për t’u rivlerësuar në Komisionin e lartë. Komisioni i lartë ose KMCAP-i epror ka marrë një vendim që është i datës 22 korrik 2015 që e ka cilësuar “jo paraplegjik”, problemi është që ai lëviz, ndërsa paraplegjik presupozohet një person që nuk lëviz fare. Nuk është tetraplegjik, por tetraparesis që lëviz me ndihmën e dy personave të tjerë. Në këto kushte, Komisioni epror nuk është se i ka hequr të drejtën e pagesës, por ka përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar bashkë me pagesën e një kujdestari. Ne kemi një vendim të formës së prerë, mbi këtë KMCAP nuk ka tjetër.

Sipas vendimit të ri, Eduart Lekaj duhej të përfitonte 100 mijë lekë (të vjetra), ndërsa edhe 100 mijë të tjera (të vjetra) për kujdestari. Por, i ati i Eduartit ka thënë se nuk ka marrë asnjë lekë nga shtatori i vitit të kaluar.

“Fiks Fare” iu drejtuar Bashkisë Vorë, ku burime zyrtare treguan se dosja nuk ka ardhur akoma nga KEMP-i epror dhe për pasojë pagesa nuk është bërë. Për shkak të burokracive mes KEMP-it epror dhe bashkisë Vorë, invalidi Eduart Leka nuk merr vlerën e parave prej 20 mijë lekësh (të reja) që i takojnë me të drejtë.

Top Channel