Mashtrimi me vajin e ullirit, prodhuesit italian nën hetim

12/11/2015 00:55

“Mashtrim për vajin e ullirit”, kjo është edhe akuza që i ka çuar drejt një procesi hetimor  prodhuesit italianë të këtij produkti kaq shumë të konsumuar.

Sikurse raportojnë mediat italiane, një analizë e mostrave nga kompanitë më të njohura, nuk i ka plotësuar kriteret e vendosura nga Bashkimi Europian për ta konsideruar vajin e ullirit si “ekstra të virgjër.”

Nën hetim janë shtatë kompani, përkatësisht: “Carapelli”, “Bertolli”, “Santa Sabina”, “Coricelli”, “Sasso”, “Primadonna”, dhe “Antica Badia”, të cilat kanë shitur si vaj ulliri 100% “ekstra të virgjër”. Por, pavarësisht nga procedurat e komplikuara të prodhimit, ky është një produkt tejet i vështirë që konsumatorët e dallojnë vetë nëse është i cilësisë më të lartë. Janë testet kimike ato që analizojnë përbërjen e tij. Por mospajtueshmëria e analizave me standardin që kompanitë pretendonin, përkthehet në një skandal miliona eurosh.

Nëse të gjitha etapat e hetimit do të konfirmojnë mashtrimin, atëherë do të vërtetohet skenari se prodhuesit kanë mashtruar gjerësisht konsumatorët.

Vaji i ullirit “ekstra i virgjër” është një nga nivelet më të larta të cilësisë dhe rrjedhimisht më i shtrenjti në treg. Ai prodhohet nga përpunimi i dorës së parë të ullinjve dhe ka një aciditet maksimal prej 0.8%.

Kjo nuk është hera e parë që ky produkt që vjen nga tregu italian është nën hetim. Ministria e Bujqësisë, vitin e kaluar kapi një penalitet prej € 10 milionë të vajit të ullirit, si pjesë e një operacioni mashtrimi për ushqimin.

Autori Tom Mueller e ka përshkruar këtë produkt si kyçin e jetesës së shëndetshme si edhe karakteristiken kryesore të dietës mesdhetare, e sipas tij një mashtrim në këtë industri, do të ishte një zhgënjim i madh për konsumatorët.

Top Channel