Kosovë, Mustafa: Marrëveshja për Asociacionin nuk është pezulluar

12/11/2015 10:45

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar në mbledhjen e qeverisë se marrëveshja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe e dërguar nga presidentja në Gjykatën Kushtetuese, nuk nënkupton pezullim të saj.

Ai tha se marrëveshja nuk është e pezulluar, por pritet të vërtetohet nga gjykata nëse është në harmoni me Kushtetutën: “Unë nuk e konsideroj se marrëveshja është pezulluar. Unë konsideroj se marrëveshja ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që të vërtetohet se çdo pikë e kësaj marrëveshjeje është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Kjo është ajo që do të bënim edhe ne si qeveri sepse kemi qenë të detyruar ta bëjmë dhe kjo në asnjë rast nuk vë në pikëpyetje dialogun tonë që duhet ta zhvillojmë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka folur edhe për fushatën e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe ka thënë se për këtë do të kërkojë sqarime në Bruksel.

Pas Mustafës, për UNESCO-n ka folur edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, i cili, përveç luftës së egër të Serbisë, ka fajësuar edhe opozitën kosovare për ngjarjet në Kuvend, për të cilat Thaçi tha se duhej të jepte sqarime gjatë lobimit për UNESCO-n.

“Pra, gjatë tërë këtij procesi, ne jemi ballafaquar me dy lloj fushatash negative. Njëra nga ana e Serbisë, e cila ishte penguese me pretendime bllokuese, por edhe e ultë dhe fyese ndaj Kosovës dhe vlerave të civilizimit, dhe në anën tjetër, patjetër duhet ta them, u ballafaquam edhe me një reagim gjatë tërë këtij tre mujorëshi të fundit, një reagim të brendshëm bllokues të Kuvendit të Kosovës, me mesazhe dhe pamje negative për Kosovën, të gazit lotsjellës dhe të dhunës opozitare”, u shpreh Thaçi.

Në mbledhjen e së enjtes, kabineti qeveritar ka miratuar koncept-dokumentin për kryeqytetin e Kosovës, si hap i parë para miratimit të projektligjit, siç e parashikon Kushtetuta.

Kryeministri Isa Mustafa tha se pas këtij hapi duhet të nisë hartimi i projektligjit për Prishtinën, ku sipas tij duhet të përfshihen shumë palë për të nxjerrë një ligj që do të ndihmonte kryeqytetin në adresimin e nevojave që ka.

Po ashtu, qeveria ka miratuar edhe një amendament për ndryshimin e Kushtetutës lidhur me forcimin e pavarësisë për Këshillin Gjyqësor, që është edhe njëri nga rekomandimet e raportit të progresit.

Qeveria ka miratuar edhe ndarjen e mjeteve financiare për dëmet e shkaktuara në trazirat e marsit të vitit 2004.

Pavarësisht kritikave të raportit të progresit për politizim të bordeve në ndërmarrjet publike, qeveria i ka propozuar Kuvendit emërimin e disa anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, nga radhët e dy partive të koalicionit qeveritar.

Top Channel