Ambasadori francez: Shqipëria, jo vend pritës për refugjatët

12/11/2015 11:35

Shqipëria është një vend ku ende nuk bëhet fjalë për kalimin e refugjatëve sirianë, ndaj, deri tani, nuk ka bisedime konkrete. Ambasadori francez Bernard Fitoussi, nga Korça ka përjashtuar Shqipërinë si një vend tranzit për refugjatët sirianë, të cilët po kërkojnë strehim politik në vendet europiane për shkak të luftës.

Teksa ka vlerësuar punën e bërë nga Greqia dhe Shqipëria, ambasadori ka theksuar se vendi ynë ka pak gjasa që të kthehet në vend pritës për këta refugjatë.

“Qëndrimi i BE-së është shumë i thjeshtë. Po përballojmë një krizë të përmasave të mëdha. Ka të bëjë me refugjatë politikë, të cilët, për arsye të luftës, janë të detyruar të lënë vendet e tyre. Tani, mes Europës dhe vendeve nga kalojnë emigrantët kanë filluar bisedimet për gjetjen e mundësive të kalimit të tyre, por edhe të qëndrimit qoftë dhe tranzit në këto vende ballkanike. Pasi vendet ballkanike janë në rrugën që kalojnë refugjatët politikë. Por, nëse emigrantët kalojnë nga Shqipëria, do të ketë bisedime konkrete edhe me këtë vend, por tani për tani akoma nuk është marrë asnjë vendim. Më duhet të them se Greqia dhe Maqedonia e kanë bërë shumë mirë punën e solidaritetit deri në këto momente me emigrantët”, u shpreh Fitoussi.

Kur u pyet nëse Shqipëria do të jetë një prej vendeve pritëse, ambasadori dha këtë përgjigje: “Nëse emigrantët do të kërkojnë të kalojnë nga jugu nëpërmjet Shqipërisë, ndoshta do të bëhet, por për momentin nuk flitet për Shqipërinë si vend pritës”.

Këto deklarata ambasadori francez në vendin tonë i ka bërë nga Korça, pas një ceremonie në përkujtim të 640 ushtarëve francezë të rënë gjatë Luftës së Parë Botërore në këtë qytet.

Top Channel