Denoncimi i “Fiks Fare”, procedim penal për 4 punonjës të kontrollit teknik të automjeteve

12/11/2015 11:40

Policia ka nisur procedim penal për korrupsion pasiv në pikën e kontrollit teknik të automjeteve në Laç. Hetimi ka nisur pas denoncimit në “Fiks Fare”.

Policia ka ndaluar Elvis Thanasin, 27 vjeç, me detyrën arkëtar i kontrollit teknik të automjeteve në Laç. Gjithashtu janë shpallur në kërkim Gëzim Kuliçaj, 56 vjeç, Artan Keroviqi, 47 vjeç dhe Adrian Mullishi, 54 vjeç, të tre specialistë të kontrollit teknik të automjeteve.

Këta persona dyshohet se kanë përfituar sasinë 4.000 lekë në këmbim të dhënies së Çertifikatës së kontrollit teknik të një automjeti.

Denoncimi në “Fiks Fare” mbrëmjen e së hënës evidentoi korrupsionin në pikën e kontrollit teknik të automjeteve në Laç. Ankesa e disa qytetarëve qëndronte tek mënyra sesi zhvillohej i gjithë procesi në këtë pikë kontrolli, ku thuajse të gjithë drejtuesit detyroheshin të jepnin rryshfet për të përfunduar kontrollin e mjetit.

Top Channel