Felaj: Kriminalizimi, vetëm për funksionarët shtetërorë

12/11/2015 00:00

Ministrja Ermonela Felaj, në një prononcim për mediat ka sqaruar nenin për kriminalizimin e shpifjes, duke theksuar se ai është i vlefshëm vetëm për funksionarët shtetërorë.

“Në asnjë moment nuk ka qenë asnjëherë qëllim i këtij neni që të penalizohen gazetarët dhe aq më keq njerëzit e zakonshëm. Qëllimi i këtij neni ka qenë që të vendosë një marrëdhënie të re me të vërtetën, si një detyrim për të gjithë funksionarët dhe të zgjedhurit në nivel qendror dhe vendor”, ka thënë Felaj.

Pavarësisht kësaj, Felaj ka theksuar se pjesa që parashikon dënimin me burg deri në 3 vjet ose gjobitjen do të rishikohet edhe një herë për formulim. Megjithatë, ka vijuar ministrja, në Parlament nuk mund të vijohet më me shpifjet, përgojimet dhe atribuimet që deputetët i bëjnë njëri-tjetrit.

“Kjo nuk i shërben askujt dhe ky është qëllimi: të zgjedhurit kanë detyrimin që gjërat që thonë në publik të jenë të vërteta. Politikanët duhet të kenë një marrëdhënie korrekte me të vërtetën. Ata kanë detyrimin, përsa kohë paguhen nga populli, që të shprehen për të vërtetën dhe të luftojnë për të në Kuvend dhe kudo”, ka shtuar Felaj.

Top Channel