Ndryshojnë rregullat e takimit, Macovei: Mos e transferoni luftën politike të Tiranës në PE

12/11/2015 12:10

Sjellja e palës shqipëtare në Bruksel, edhe pse nuk kishte për qëllim dëmtimin e imazhit të vendit, por vetëm rrëzimin rutinë të propozimeve të kundërshtarëve politikë, hutoi mjaft të huaj në PE dhe asistentët u raportuan eurodeputetëve jo të pranishëm mbi gjithçka që panë e dëgjuan në atë sallë.

Megjithëse takimi dëshmoi nevojën e ndryshimit të rregullores dhe proçedurave të Komitetit, sipas kryetares Monica Macovei, ai shënon progres krahasuar me mbledhjen e zhvilluar në Tiranë.

“Mos transferoni luftën politike nga vendi juaj drejt Parlamentit Europian. Kjo vlen si për vendet anëtare, edhe për Shqipërinë në këtë rast. Kështu që takimi, dialogu ishte shumë herë më i mirë kësaj radhe. Ne propozuam disa ndryshime për rregullat e proçedurës, që lidhen me votimin, me kohën për të folur, me mënyrën se si marrim vendime në forum, pra për çështjet që janë të domosdoshme për disiplinën e takimit, në mënyrë që takimi të shkojë mirë. Edhe njerëzit e kuptuan se për t’i lejuar të tjerët të flasin më shumë duhet të reduktojnë kohën që marrin vetë për të folur. Kur unë them vetëm 3 minuta dhe kjo shkon më shumë, në 4 a 5, ose me raste në 6 minuta, atëherë anëtarët e së njëjtës parti nuk mund të flasin, edhe pse unë i lash të ndërhynin. Problemi qëndron se ne kemi një kohë të kufizuar dhe si politikanë ne duhet të jemi të aftë të japim mesazhe në një kohë mjaft të shkurtër. Kjo edhe për njerëzit që na shohin në ekran, jo vetëm për këtë takim.  Nuk kemi pse marrim një orë për të shpjeguar diçka. Duhet ta disiplinojmë veten dhe të flasim brenda 1, 3 apo 5 minutave, duke dhënë mesazhin. Prandaj, në këtë këndvështrim takimi ishte i mirë dhe dua të insistoj mbi faktin se është më mirë të dëgjohen sa më shumë njerëz dhe jo vetëm 3-4 veta përgjatë 3 orëve. Do doja të dëgjoja 10 veta që japin 10 mendime. Kjo është çfarë kërkojmë”, deklaroi Macovei.

Pas refuzimit të Eduard Kukan, PPE është e pafuqishme për të zëvendësuar kryetaren Macovei deri në fund të vitit të ardhshêm, ndërkohë që juristja rumune, edhe pse fillimisht donte Komitetin me Serbinë dhe jo atë me Shqipërinë, parashikon të qëndrojë deri në fund të kësaj legjislature, nëse anëtarët e delegacionit PE-Shqipëri nuk do të kërkojnë largimin e saj.

“Rregullorja thotë se,  edhe nëse ndryshon grupin politik, dhe unë sapo iu bashkova grupit të konservatorëve dhe reformatorëve, mund të qëndroj në pozicionin e kryetares së Komitetit deri në fund të mandatit 5-vjeçar”, tha Macovei.

Top Channel