“Playoff”-i i Euro 2016 nis me sfidën Norvegji-Hungari

12/11/2015 12:30

Nis sot në mbrëmje faza e “playoff”-it për fazën finale të kampionatit evropian të futbollit, që do të zhvillohet në Francë vitin e ardhshëm. Sfida që do të hapë këtë fazë është ajo mes Norvegjisë dhe Hungarisë. Skuadra nordike e humbi kualifikimin direkt vetëm në 20 minutat e fundit të ndeshjes në grupin e eliminatoreve me Italinë, teksa pësoi 2 gola, ndërsa për Hungarinë gjërat ishin edhe më dramatike, pasi kjo skuadër pa që Turqia t’i rrëmbente kualifikimin si e treta më e mirë në grup falë golit me Islandën në minutën e 89.

Sfida tjetër e “playoff”-it është ajo mes Bosnjes dhe Irlandës, që do të luhet nesër. Në këtë rast, talenti vihet përballë forcës organizative të lojës. Trajneri Bazdareviç u kërkon futbollistëve të tij që të mos nënvlerësojnë skuadrën irlandeze, pasi, sipas tij, asaj nuk i mungojnë elementët cilësorë. Dzeko, Pjaniç dhe Luliç, pas derbit të së dielës do të jenë bashkë për të ndihmuar Bosnjen për kualifikim, ndërsa Irlanda nuk do të ketë në dispozicion Walters dhe O’ Shea.

Ukrainë-Slloveni është ndeshja e radhës e “playoff”-it, në program për të shtunën. Për Ukrainën kjo fazë është një makth i vërtetë, pasi ajo është eliminuar në të pesta rastet kur ka arritur në këtë pikë. Për këtë skuadër nuk do të jetë e lehtë të thyejë tabunë, duke parë lojtarët që janë në përbërje të përfaqësueses sllovene, ku mjafton të përmendim Handanoviç, Kranjiç, Iliçiç apo Kurtiç.

Ndeshja përmbyllëse e këtij programi është ajo që ka edhe interesin më të madh, derbi nordik mes Suedisë dhe Danimarkës. Pas zhgënjimit të përjetuar për mospjesëmarrjen në Botërorin e vitit 2014, Zlatan Ibrahimoviç nuk do t’ia lejojë vetes t’i shpëtojë ndoshta mundësia e fundit për të qenë protagonist në një turne të rëndësishëm. Por, danezët janë një kockë e fortë dhe për Suedinë nuk do të jetë një përballje e lehtë.

Top Channel