Zgjedhjet në FIFA, Platini lihet jashtë gare

12/11/2015 12:40

Federata Ndërkombëtare e Futbollit ka publikuar listën e 5 kandidatëve që do të vazhdojnë garimin për kreun e saj. Ajo që të bën përshtypje në këtë pikë është se Komiteti Elektoral i qeverisë së futbollit botëror ka lënë jashtë garimit presidentin e UEFA-s, Mishel Platini dhe Musa Hasan Biliti.

Për momentin, 5 kandidatët që kanë të drejtë të garojnë për presidencën e FIFA-s janë : Gianni Infantino, Princi Ali, Zherom Shampanja, Tokio Seksuejl dhe sheiku Salman Al Khalifa.

Në muajin tetor ishin 7 kandidaturat në garë për kreun e FIFA-s, por Platini dhe Biliti nuk ia dolën mbanë të vijojnë në këtë rrugë. Në të vërtetë, Biliti është i përjashtuar përfundimisht nga gara, ndërkohë që Platini u la jashtë për shkak të dënimit me pezullim prej 90 ditësh të marrë nga FIFA. Pozicioni i francezit do të vlerësohet sërish kur të mbarojë dënimin e tij. Gjithsesi, ai gëzon të drejtën e apelimit për këtë përjashtim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

Zgjedhjet për presidentin e ri të FIFA-s do të mbahen në 26 shkurtin e vitit të ardhshëm, ku do të votojnë përfaqësuesit e 209 Federatave që janë pjesë e FIFA.

Top Channel