Carlo Ancelotti kërkohet nga Manchester City

12/11/2015 13:50

Manchester City duket se ka ndryshuar objektiv për pankinën në sezonin e ardhshëm. Sipas asaj që publikohet në tabloidin britanik “Daily Star”, skuadra angleze tashmë ka vënë në shënjestër italianin Carlo Ancelotti, ndërkohë që më parë e gjithë vëmendja e saj ishte te Pep Guardiola.

Por, dyshimet e trajnerit spanjoll si dhe plani i Bayern Munchen për të kanë bërë që drejtuesit e “Citizens” të shohin Ancelottin si kandidatin kryesor për pankinën e skuadrës.

Ndërkaq, vetë trajneri italian që vendosi të qëndrojë një vit pushim pas largimit nga Reali i Madridit, nuk e ka fshehur aspak dëshirën për t’u rikthyer në kampionatin anglez. Në një intervistë për “Daily Mail”, 56-vjeçari theksoi se i pëlqen futbolli që luhet në Premier League.

“Më pëlqen futbolli anglez. E kam ende  një shtëpi në Londër dhe do të më pëlqente që të drejtoja një skuadër kompetitive, si në Premier League, ashtu edhe në Evropë”, ishte deklarata e ish-trajnerit të Milanit, Carlo Ancelotti.

Top Channel