Interesim i madh për miqësoren Kosovë-Shqipëri

12/11/2015 14:10

Interesimi i qytetarëve kosovarë për ndeshjen miqësore Kosovë-Shqipëri është parë menjëherë mëngjesin e së enjtes, kur biletat dolën në shitje. Në pikat e shitjes janë krijuar radhë për të siguruar biletën e kësaj ndeshjeje, e cila në Kosovë po cilësohet si festive.

Qytetarët presin lojë të hapur dhe mundësinë për të parë nivelin e përfaqësueses së Kosovës.

“Për mendimin tim duhet të zhvillohet futboll i hapur, pa kalkulime, pasi nuk bëhet fjalë për pikë”, thotë një qytetar.
Nga mbrëmja e së mërkurës, në rrugët kryesore të Prishtinës janë vendosur 5000 flamuj nga tifozeria e Prishtinës “Plisat”, për të nderuar kombëtaren shqiptare për suksesin e shënuar në kualifikimet e kampionatit evropian.

“Plisat” po ashtu kanë bërë thirrje që tribuna jugore e stadiumit të Prishtinës, ku do të zhvillohet ndeshja, të jetë e gjitha kuq e zi.

Organizime për ndeshjen do të ketë edhe nga Digitalb. Nga ora 11:00-12:30, në sheshin “Zahir Pajaziti” do të zhvillohet emisioni “Fan Zone”. Ndërsa nga ora 12:30-13:50 Digitalb do të ketë një tjetër emision brenda stadiumit.

Miqësorja Kosovë-Shqipëri do të zhvillohet të premten, në orën 14:00, në stadiumin e Prishtinës.

Top Channel