Shkëputja nga Spanja, katalanasit shpërfillin vendimin e gjykatës

12/11/2015 14:40

Në shpërfillje të hapur të vendimit të Gjykatës Kushtetutese për pezullimin e procesit të shkëputjes, liderët katalanas pro-pavarësisë u betuan të vazhdojnë përpjekjet e ndarjes nga Spanja.

“Vazhdimi i planeve të shpalljes së pavarësisë brenda 18 muajsh është vullneti politik i qeverisë rajonale”, deklaroi zëvendëspresidenti katalanas Neus Munte, pohime këto që dëshmojnë qartë se dëshira e Katalunjës për shkëputje mbetet e pafashitur.

E vendosur të mos e lejojë humbjen e rajonit të pasur me rezerva natyrore, qeveria spanjolle kërkoi ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese dhe kjo e fundit u rreshtua në krah të Madridit zyrtar me paralajmërimet se liderët katalanas nuk kanë rrugë tjetër veçse të pajtohen me situatën.

“Nëse nuk heqin dorë nga ideja e tyre, atëherë mund të kryejnë mosbindje”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Parlamenti rajonal i Katalunjës miratoi të hënën një mocion për fillimin e procesit të ndarjes nga Spanja, duke bërë të qartë synimin e pavarësimit brenda 18 muajve e duke dhënë 30 ditë kohë për nisjen e legjislacionit mbi një kushtetutë katalanase, një departament thesari dhe një sistem të sigurimeve shoqërore.

Reagimin e menjëhershëm të ezekutivit spanjoll me kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e rezolutës, kryeministri Mariano Rajoy e justifikoi duke thënë se “veprimi i qeverisë ka të bëjë me mbrojtjen e një vendi të tërë”.

Ai u zotua të përdorë të gjitha mjetet politike dhe ligjore në dispozicion për të mos lejuar pavarësinë e rajonit autonom me popullsi prej 7.5 milionë banorësh, që jep rreth 20 për qind të prodhimit ekonomik të Spanjës.

Top Channel