Rajoni i Pulias është një zonë e varfër me burime ujore, por atje nuk mungon asnjë minutë uji i pijshëm. Tirana është e kundërta. Një vend me shumë ujë, por me ndërprerje në furnizim. Për të ndryshuar këtë situatë, ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës do t’i nënshtrohet një auditi teknik dhe financiar nga Ujësjellësi i Pulias, që në një fazë të dytë do të ndiqet nga investimet në rrjet me qëllim përmirësimin e shërbimit për qytetarët.

Michele Emiliano, president i rajonit të Pulias, shprehet: “Kryetari i bashkisë na ka kërkuar që përmes ujësjellësit puljez, që është një shoqëri në pronësinë tonë, të verifikojmë të gjitha humbjet, lidhjet e paligjshme dhe të rivendosim në ekuilibër ekonomik shoqërinë që menaxhon ujësjellësin e Tiranës dhe t’i mundësojmë asaj të përmirësojë shërbimin duke zgjeruar rrjetin”.
 
Sipas Bashkisë së Tiranës, niveli i humbjeve të ujit në rrjet është 70% dhe qytetarët arrijnë të furnizohen vetëm 11 orë në ditë me ujë. Për presidentin e rajonit të Pulias, projekti synon të nisë nga Tirana, për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin: “Nëse do të jemi të zotë dhe Shqipëria të na besojë, do të forcojmë rrjetin e shpërndarjes në të gjithë Shqipërinë dhe në të ardhmen mund të shihet edhe mundësia e shitjes së ujit të Shqipërisë që ka cilësi të jashtëzakonshme në vende të tjera të Ballkanit apo Itali, ku nevoja për ujë është gjithnjë e më e madhe sepse ëndrra për ndërtimin e një ujësjellësi nga Shqipëria në Itali është gjithmonë në kokat tona”.

Top Channel