Çuçi: Progres-raporti i KE-së, pozitiv

12/11/2015 15:35

Bledi Çuçi, koordinatori kombëtar i luftës ndaj korrupsionit, e vlerësoi progres-raportin e Komisionit Europian si pozitiv për Shqipërinë.

Por, ai theksoi se për të çuar para reformat dhe masat kundër korrupsionit, duhet së pari të përmbushet një prej objektivave madhorë pararendës që ka qeveria shqiptare, që është reforma në drejtësi.

“Përsa i përket luftës kundër korrupsionit, si një prej 5 prioriteteve të qeverisë shqiptare, ne lexojmë dhe vlerësojmë notat dhe frymën realiste me të cilën është shkruar progres-raporti, i cili jep një panoramë shumë të qartë për ecurinë e reformave të ndërmarra në kuadrin e luftës kundër korrupsionit deri tani, por edhe për nevojën e vazhdimit më tej të përpjekjeve për realizimin e objektivave dhe masave kundër korrupsionit. Një prej zhvillimeve më të qarta në progres-raport nga Komisioni Evropian, e cila përmendet në mënyrë të veçantë, është vlerësimi për përpjekjet tona në hartimin dhe miratimin e kuadrit strategjik në luftën kundër korrupsionit, e materializuar në një plan të detajuar të veprimit kundër korrupsionit”, tha Çuçi.

Top Channel