Korçë, romët dhe egjiptianët në një shkollë

12/11/2015 15:50

Shkolla “Naim Frashëri” në Korçë është një shkollë me mbi 250 fëmijë të komunitetit rom dhe egjiptian. Në kohën kur në shkollat e tjera të qytetit numri i nxënësve për klasë kalon numrin 30, në këtë institucion arsimor mësimi bëhet me klasa kolektive dhe këta fëmijë marrin një vakt ushqimor falas si një mënyrë për të lehtësuar barrën e familjeve që t’i lejojnë të shkojnë në shkollë.

Fëmijët vijnë nga familje me nivel të ulët ekonomik, ndaj u është ofruar edhe kjo lloj mbështetjeje, por romët dhe egjiptianët nuk janë të vetmit të varfër në këtë qytet, e megjithatë vetëm ata janë futur brenda mureve të një shkolle të vetme, duke u izoluar nga pjesa tjetër.

Kjo lloj ndarjeje ka sjellë edhe reagimin e prindërve dhe fëmijëve, por edhe shoqatave për të drejtat e tyre.

“Do na pëlqente të mos kishte diskriminime nëpër shkolla”, thonë ata.

Artur Lamolli, kreu i shoqatës për të drejtat e këtyre komuniteteve, e ka konsideruar këtë si një akt të qartë diskriminimi, duke bërë përgjegjës Drejtorinë e Arsimit dhe pushtetin vendor: “Fëmijët tanë duhet të marrin kulturën e mazhorancës. Ne ndihemi keq pasi këtu kemi të bëjmë me diskriminim”.

Drejtori i shkollës, Mihal Gorica, thotë se klasat janë të hapura për të gjithë nxënësit, por shkolla “Naim Frashëri” mbetet e vetmja shkollë ku fëmijët romë dhe egjiptianë marrin një vakt ushqimor si stimul: “Është bërë një politikë shumë intensive për të afruar të gjithë komunitetet, por nuk mund t’ia imponosh familjeve të sjellin fëmijët në këtë shkollë”.

I kontaktuar lidhur me këtë çështje, kreu i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, ka sqaruar se ky është një projekt i Ministrisë së Arsimit, i cili shtrihet dhe në qytete të tjera, ndërsa bashkia çdo vit ka mundësuar për fëmijët romë dhe egjiptianë kite shkollore në të gjitha shkollat. Për disa prindër, të cilët nuk e pranojnë publikisht, shkolla “Naim Frashëri” ka qenë e vetmja shkollë e cila ka pranuar fëmijët romë dhe egjiptianë edhe nga lagje të largëta të qytetit, pasi ata nuk janë pranuar në shkollat afër banesave të tyre.

Top Channel