Raporti për Kosovën, shoqëria civile tepër kritike

12/11/2015 00:00

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë kanë diskutuar të enjten për raportin e progresit, i cili ka vlerësuar disa arritje, por ka dhënë shumë vërejtje dhe kritika për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në një tryezë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryetari i zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, u tha se për luftimin e korrupsionit mungon vullneti politik, ndërsa nënshkrimi i MSA-së dhe liberalizimi i vizave u vlerësuan si dhurata për dëgjueshmëri në negociatat me Serbinë.

“Lufta kundër korrupsionit është një fushë, për të cilën ne mendojmë se Kosova është në një fazë të hershme të përgatitjeve. Por ka pasur disa përparime, në veçanti sa i përket bashkëpunimit mes agjencive kundër korrupsionit dhe Prokurorisë. Përparime kemi parë edhe sa i përket deklarimit të pasurisë, që është rritur paksa gjatë kësaj kohe. Megjithatë, ne nuk kemi parë rezultate konkrete në këtë fushë. Posaçërisht s’kemi parë të jenë dhënë dënime për nivelet e larta të korrupsionit. S’ka vullnet politik për këtë”, tha Thomas Gnochi, zv.shef i BE-së në Kosovë.

“Tashmë që po shohim që nuk ka përparim në 10 vite dhe ne nënshkruajmë MSA-në dhe liberalizimin e vizave, pyetja që shtrohet është nëse po na jepen këto dokumente sepse kemi plotësuar standardet e brendshme, apo sepse kemi qenë të dëgjueshëm në lidhje me negociatat dhe implementimin e marrëveshjeve me Serbinë? Unë besoj se është kjo e dyta, për shkak se, edhe publikisht është thënë që tashmë ne e meritojmë shpërblimin”, tha Agron Demi, drejtor i GAP.

Për mungesën e përkushtimit të qeverisë për të luftuar korrupsionin, si një ndër gjetjet e raportit të progresit, kanë folur edhe përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës.

“Ne të gjithë e dimë, edhe vetë Komisioni Europian ka vlerësuar që problemi është se kemi mungesë financash. Pra, me një buxhet prej 28 milionë eurosh dhe me afërsisht 350 gjyqtarë e 150 prokurorë është problem dhe tregon se nuk jemi të përgatitur për ta luftuar me seriozitet korrupsionin”, tha Visar Sutaj, KDI.

KDI i ka rekomanduar Kuvendit, që të jetë më aktiv në mbikëqyrjen e punës së Qeverisë dhe të hapë më shumë debate për ligjet e rëndësishme, ndërsa ka kërkuar nga qeveria që të largojë ndikimin e saj nga institucionet e pavarura të shtetit.

Top Channel