Samiti i Maltës, BE e nis me 2 mln dollarë ndihmë emergjente për Afrikën

12/11/2015 00:00

Bashkimi Europian lançoi këtë të enjte një fond prej 2 miliardë dollarësh si fillim për Afrikën, në mënyrë që të ndihmojë në luftimin e varfërisë dhe konflikteve, që i kanë detyruar emigrantët t’u drejtohen vendeve të Europës, por udhëheqësit afrikanë thonë se kjo ndihmë është e pamjaftueshme, pasi duhen të tjera ndryshime fundamentale ekonomike.

Fondi i mirëbesimit, i bërë publik gjatë ditës së dytë të samitit të Maltës ku marrin pjesë edhe udhëheqës afrikanë, konsiston kryesisht në ndihmën prej 1,8 miliardë eurosh të dhëna nga Komisioni Europian, organizmi ekzekutiv i BE-së, dhe i marrë nga buxheti qendror i bllokut. Komisioni, nga ana e tij u ka kërkuar vendeve anëtare ta përmbushin këtë detyrim, por vetëm pak shtete janë angazhuar për këtë deri më tani.

Shuma e re e parave, që u shtohet rreth 20 miliardë eurove të dhuruara çdo vit nga BE-ja për Afrikën, do të financojë kryesisht projekte që variojnë nga trajnimi dhe marrja e granteve nga bizneset e vogla, te luftimi i mungesës së ushqimeve, e deri në skemat që kanë për qëllim të drejtpërdrejtë kufizimin e emigracionit dhe luftimin e radikalizimit e formave të tjera të dhunës.

Duke qenë se vëmendja e europianëve është kapluar tashmë nga mbi 500 mijë sirianët dhe të tjerë të ardhur nga Lindja e Mesme, e që e kanë futur BE-në në një krizë të vërtetë, kujtimet e afrikanëve të mbytur janë zbehur disi, por kanë qenë pikërisht vdekjet e tyre në muajin prill, ato që nxitën mbajtjen e samitit të Maltës. Gjithsesi, zyrtarë të BE-së thonë se emigracioni afrikan përfaqëson aktualisht një shqetësim më të madh në periudhën afatgjatë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel theksoi se ky samit ishte vetëm fillimi. “Kemi një punë të madhe për të bërë në të ardhmen”, tha ajo. Një tjetër shqetësim i madh si për Europën edhe për Afrikën, është shkalla në të cilën ndryshimet klimatike – që po kthejnë zona të tëra përreth Saharasë në shkretëtira, – mund të detyrojë seksione të tëra të popullsive disa qindramilionëshe afrikane të zhvendosen, si brenda kontinentit, ashtu edhe më në veri apo përmes Mesdheut.

Shuma e parë e drejtpërdretë e ofruar nga shtetet anëtare, të cilat gjithashtu financojnë buxhetin e BE-së, kap vlerën e 78 milionë eurove, por zyrtarët e BE-së thonë se presin të tjera parà së shpejti. Udhëheqësit afrikanë të pranishëm në samitin e Valetës theksuan se efekti i saj do të ishte i kufizuar.

“Fondi i mirëbesimit nuk është i mjaftueshëm. 1,8 miliardë eurot e deritanishme janë shumë pak nga të qenit të mjaftueshme”, tha Mahamadou Issoufou, president i Nigerit, që përballet me probleme serioze me emigracionin dhe përmbytjet. “Ajo që duam nuk është thjesht ndihmë zhvillimore zyrtare në këtë formë, por reforma të qeverisjes globale. Tregtia botërore duhet të jetë më e drejtë. Duhet të ketë më shumë investime në Afrikë. Asistenca zhvillimore zyrtare është e mirë, por jo e mjaftueshme”.

Top Channel