Modi viziton Britaninë, fokusi te marrëveshjet tregtare; pritet me protesta

12/11/2015 00:00

Britania dhe India ishin të gatshme të nënshkruanin plot 9 miliardë paund (13,7 mld dollarë) marrëveshje tregtare gjatë vizitës së kryeministrit indian, Narendra Modi, por mbërritja e tij gjatë së enjtes në ishull u errësua nga protestat për një rritje të perceptuar të intolerancës në vend.

Modi mori një pritje të ngrohtë nga kryeministri britanik, David Cameron, i cili u përpoq gjithashtu të kultivonte marrëdhënie më të afërta me Indinë për të siguruar mundësi biznesi me ekonominë gjithnjë e në rritje indiane, në një periudhë kur Modi ka qenë duke prioritizuar të tjera marrëdhënie.

Nga ana e tij, Modi synon të ringrejë autoritetin e tij në skenën botërore dhe të rifitojë vrullin që të drejton tek investimet më të mëdha dhe rritja ekonomike, pas humbjes djegëse të partisë së tij nacionaliste Hindu në shtetin e Biharit të dielën, një shtet tepër i populluar.

Cameron tha se Britania dëshiron të mbështesë Modin në përpjekjet e tij për të transformuar Indinë me një infrastrukturë të përmirësuar dhe edukim më cilësor.

“Duam të bëhemi partneri juaj kryesor në mbështetjen financiare të nevojshme për planin tuaj ambicioz, duke e bërë Londrën qendrën kryesore botërore për tregtinë indiane përtej detit”, i tha Cameron homologut indian gjatë një konference për shtyp, duke shtuar se ekzistojnë plane për të ofruar më shumë se një miliard paund në bono.

Ai tha gjithashtu se kompanitë britanike dhe indiane duhet të shpallin “bashkëpunime” të reja prej 9 miliardë paund gjatë vizitës së Modit, por nuk dha shumë detaje mbi këtë plan.

Modi u shpreh se dy vendet kanë nënshkruar një marrëveshje bërthamore për qëllime civile, të cilën ai e përshkroi si një shenjë të besimit të përbashkët, teksa shtoi se ka plane për një financim të sistemit hekurudhor indian.

Përpara vizitës, diplomatët thanë se udhëheqësi indian synonte të blinte 20 avionë stërvitorë të sistemit “BAE Hawk”. Cameron e ka vizituar 3 herë Indinë që prej marrjes së pushtetit në vitin 2010, në përpjekje për të rritur lidhjet diplomatike, ndërsa Modi është i pari kryetar qeverie nga India që zhvillon një vizitë zyrtare në Britani prej më shumë se një dekade, pasi dikur ka qenë koloni e Mbretërisë ishullore.

Top Channel