Durrës, sekuestrohen 570 kg kafe kontrabandë; arrestohet 60-vjeçari

12/11/2015 00:00

Rreth 570 kg kafe e hyrë kontrabandë në Shqipëri është sekuestruar mesditën e së enjtes nga Policia e Durrësit, në kuadër të operacionit të koduar “Ekspresi”.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit mësohet se, në pranga ka rënë 60-vjeçari Fatmir Mane, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në Shkozet, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 thasë të mbushur me kafe, kokërr të papjekur dhe e pabluar, me një sasi rreth 547 kg, si dhe një thes me kafe, kokërr të pjekur.

Gjithashtu, veç pajisjeve për pjekjen dhe bluarjen e kafes, u sekuestruan edhe qindra qese paketimi ngjyrë blu, me mbishkrimin “Aroma Caffe”. Ndaj 60-vjeçarit Mane tashmë janë ngritur akuzat e “fshehjes së të ardhurave”, “ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit”.

Top Channel