Shteti Islamik kërcënon Rusinë: Së shpejti, gjaku juaj do derdhet si oqean

12/11/2015 00:00

Shteti Islamik ka publikuar së fundi një video, përmes së cilës kërcënon për sulme në Rusi në një kohë “tepër të shpejtë”, bëri të ditur grupi monitorues “SITE” gjatë kësaj të enjteje.

Qendra mediatike “Al-Hayat”, divizioni mediatik në gjuhë të huaj i Shtetit Islamik, publikoi një video në gjuhën ruse me thirrjet “Shpejt, shumë shpejt, gjaku juaj do të derdhet si një oqean”, raporton “SITE”.

Xhihadistët e Shtetit Islamik kanë bërë edhe në të kaluarën thirrje për sulme në Rusi dhe në SHBA, në shenjë hakmarrjeje për sulmet ajrore ndaj luftëtarëve të tyre në Siri.

Zyrtarë të shërbimeve sekrete perëndimore dyshojnë se kanë qenë pikërisht xhihadistë të grupit sunit ekstremist, ata që mund të kenë vendosur bombë në avionin rus për pasagjerë, i cili u rrëzua mbi gadishullin egjiptian të Sinait dy javë më parë.

Ndërkohë, edhe agjencitë ruse të Sigurisë janë vënë në lëvizje dhe këtë e konfirmon edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov gjatë kësaj të enjteje, kur tha se “padyshim që agjencitë do ta hetojnë këtë video”.

“Nuk e di nëse kjo video është autentike apo jo, nuk di as mbi autenticitetin e këtyre burimeve, por në çdo rast, nuk ka asnjë dyshim që ky kërcënim do të bëhet subjekt për shqyrtim dhe hetim nga shërbimet tona speciale të sigurisë”, tha Peskov gjatë një videokonference për gazetarët.

Top Channel