Ja si sfidohet ligji kundër alkoolit në Arabi

12/11/2015 00:00

Alkooli është ligjërisht i ndaluar në Arabinë Saudite, e megjithatë, në realitet ka njerëz atje të cilët konsumojnë rregullisht pije alkoolike.

Ju do të pyesnit sesi është e mundur, që arabë të tillë të mund të sigurojnë alkoolin? Një përgjigje mund ta merrni përmes raportimeve të shumta të medias arabe gjatë kësaj të enjteje, mbi faktin sesi mundën autoritetet saudite të kontrollit kufitar me Emiratet e Bashkuara Arabe të kapnin një trafikant kontrabandist me 48 mijë kanaçe “Heineken”, të gjitha të veshura me qese plastike që lexonin “Pepsi”.

“Një kamion që transportonte ato, që fillimisht u dukën si kanaçe normale të pijeve të lehta Pepsi, u ndalua dhe më pas iu nënshtrua procesit standard të kontrolleve ndaj produktit. Menjëherë u bë e qartë se birrat me përqindje alkooli ishin mbushuar për t’u fshehur me qeset me logo Pepsi”, tha menaxheri i përgjithshëm i kufirit të Al Batha, Abdulrahman al-Mahna, për median arabe Al Arabiya.

Videoja e publikuar nga Sgjencia saudite e Doganave tregon sesa “bindëse” ishin këto veshje mashtruese. Kjo nuk është hera e parë që kontrabandistët kanë përdorur metoda nga më të ndryshmet për të futur alkooolin në Arabinë Saudite.

Vetëm pak muaj më parë, një saudit u kap në kufirin me Bahreinin me 12 shishe pijesh alkoolike të qepura në bluzat e tij, ndërkohë që së fundi autoritetet saudite kanë gjetur më shumë se 19 mijë shishe pijesh alkoolike të fshehura nëpër dërgesat e orizit dhe salcës së domateve.

Top Channel