Radhë të gjata në QKR-në e Fierit

13/11/2015 11:00

Edhe pse u arrestuan punonjës dhe sekserë të cilët kundrejt pagesave lehtësonin radhët para zyrave të QKR-së në Fier, situata atje nuk ka ndryshuar.

Radhët e gjata që ushqyen sekserët dhe punonjësit e korruptuar vazhdojnë ende. Tashmë me vetëm një sportel, shërbimi ndaj biznesit është i ngadaltë, duke shkaktuar vonesa në kryerjen e procedurave të regjistrimit.

Një pjesë e madhe e biznesit, megjithëse, i ka përmbushur të gjitha detyrimet tatimore, është penalizuar për faj të gabimeve të sistemit dhe nënpunësve të QKR-së. Vonesa për korrigjimin e këtyre gabimeve shoqërohet me gjobë nga 100 deri në 500 mijë lekë të vjetra.

Përgjegjësi i QKR-së, i cili është edhe nënpunësi i vetëm, thotë jashtë kamerave se tregtarët mund të shkojnë në zyrën e Lushnjes për të përfunduar procedurat në kohë.

Me nisjen e aksionit kundër informalitetit, pranë QKR-së në Fier pati dyndje të lartë subjektesh. Kjo situatë shkaktoi radhë dhe këto të fundit shkaktuan korrupsionin. Zyrtarët e arrestuar akuzohem se merrnin nga subjektet 50-100 mijë lekë për të kryer procedurat e regjistrimit në kohë, duke mos respektuar radhën. Bashkë me dy nënpunësit, u arrestuan edhe 3 sekserë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Top Channel