Oxfam akuzon Bullgarinë për brutalitet ndaj emigrantëve

13/11/2015 11:30

Autoritetet bullgare akuzohen për brutalitet ndaj emigrantëve në raportin më të fundit të sponsorizuar nga organizata bamirëse Oxfam.

I mbështetur në dëshmitë e emigrantëve që kanë kaluar në Bullgari nga Serbia, raporti citon një sërë rastesh ku të ardhurit janë zhvatur apo rrahur nga policia. Sofia zyrtare ende nuk i është përgjigjur akuzave.

Dokumenti i paraqitur nga Oxfam evidenton rreziqet që i presin emigrantët, sa në afërsi te kufirit turko-bullgar, aq edhe gjatë kalimit përmes Serbisë.

Rastet e zhvatjes nga policët bullgarë, dhuna fizike dhe sulmet me qen policie përshkruhen deri në detajet më të imtësishme.

Përfundimet e raportit mbështeten në intervistat e marra përgjatë tre ditëve në muajin tetor nga më shumë se 100 refugjatëve të mbërritur nga Bullgaria në qytetin kufitar serb të Dimitrovgradit.

“Në dritën e abuzimeve të raportuara hollësisht, Bashkimi Europian duhet të ndërhyrje e të ndërmarrë veprime konkrete me qëllim mbrojtjen e të drejtave bazë të njeriut brenda kufijve të tij”, tha drejtori i Oxfam për Europën jug-lindore, Stefano Baldini.

Dëshmitë e mbledhura ofrojnë një tablo të plotë të incidenteve të ndodhura në Bullgari, shton ai në pohimin e cituar nga Press Association.

Muajin që shkoi, një emigrant afgan u qëllua për vdekje nga një roje e kufirit bullgar pas hyrjes në këtë vend nga Turqia. Zyrtarët nxituan ta përshkruajnë ngjarjen si aksident.

Emigranti, sipas tyre, ishte vrarë nga një plumb rikoshet gjatë disa të shtënave në ajër që duhet të shërbenin si paralajmërim për refugjatët. Por thellësisht e tronditur nga incidenti, UNHCR-ja i kërkoi autoriteteve bullgare një hetim të plotë e të pavarur të kësaj vdekjeje.

Me qindra mijëra emigrantë, shumica nga Siria, Afrika e Afganistani, kanë kaluar përmes Ballkanit këto muajt e fundit në përpjekje për të mbërritur në shtetet veriore të Europës si Gjermania apo Suedia, të cilat i konsiderojnë si më mikpritëset për ta.

Top Channel