Osumi gërryen tokën, fshatrat e Beratit në alarm

13/11/2015 12:20

Gërryerja e tokës është një problem shqetësues në fshatrat e Beratit, si pasojë e ndryshimit të shtratit të lumit Osum.

Ky fenomen ka prekur tokat e dhjetëra fermerëve në fshatin Bilçë, vetëm pak kilometra larg qytetit dhe që tashmë është pjesë e Bashkisë së Beratit.

Banorët e një lagjeje të tërë në këtë fshat ankohen se sipërfaqja e tokës po gërryhet nga lumi, duke përfshirë edhe të mbjellat e stinës.

Lumi Osum në këtë krah ka devijuar ndjeshëm dhe duket se do të vazhdojë përpara nëse asnjë masë nuk do të merret.

Por, sikur kjo të mos mjaftonte, për banorët shqetësim përbëjnë edhe përrenjtë që kalojnë në mes të fshatit, të cilët bllokohen duke shkaktuar përmbytje.

Me një lum që ka gërryer shtratin dhe ka marrë përpara sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe me përrenjë që sa herë që ka reshje shiu vërshojnë duke përmbytur gjithçka, banorët shprehen se një ditë jo shumë të largët do të ngelen krejtësisht pa tokë dhe si reuzltat pa asnjë mundësi mbijetese.

Top Channel