Veliaj: Mbështetje shkollave të nxënësve me aftësi të veçanta

13/11/2015 13:45

Godina ku mësojnë dhe studiojnë rreth 100 nxënës me aftësi të veçantë është rikonstruktuar përmes financimeve të investitorëve privatë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolla shprehën mbështetjen e tyre të plotë për këta fëmijë, por edhe për prindërit dhe mësuesit të cilët punojnë çdo ditë me ta.

“Rikonstruksioni i shkollës tuaj është pjesë e planit të buxhetit të bashkisë për vitin e ardhshëm dhe do të doja që gjatë vitit jo vetëm të bashkëpunojmë me ata që duan të kontribuojnë, por që edhe investimi i bashkisë të shkojë aty ku ka nevojë shkolla”, tha Veliaj.

“Nuk është vëmendja vetëm tek tullat dhe llaçi, por tek ngjizja e një komunikimi të ri nga stafet pedagogjike të këtyre shkollave, për të trajtuar çdo djalë e vajzë me dashuri, për t’i dëgjuar, për të qenë bashkë me prindërit dhe për të orientuar programe ndihme për këta fëmijë me aftësi ndryshe”, tha Nikolla.

Veliaj tha se do të mundësohet transporti falas nga bashkia për këta fëmijë. Përmes bashkëpunimit të sektorit privat me atë shtetëror është bërë rikonstruksioni i fasadës së njërës prej godinave, rinovimi i mensës dhe kuzhiniës, si dhe rehabilitimi i terreneve sportive.

Top Channel