Frenimi i emigrantëve, BE zbut qasjen ndaj Turqisë

13/11/2015 14:05

Blloku europian angazhohet për mbajtjen e një samiti të veçantë me Turqinë mbi krizën e refugjatëve me shpresën se bisedimet do të arrijnë të identifikojnë mënyrat e lehtësimit të dyndjes së tyre drejt kontinentit të vjetër.

Brukseli, deri vonë hermetik ndaj Ankarasë, tani ka zbutur qëndrimin dhe po përpiqet të sigurojë në këtë mënyrë mbështetjen e saj për menaxhimin e situatës aq tensionuese për BE-në.

Liderët europianë, përfshirë këtu presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk dhe kancelaren gjermane Angela Merkel, u shprehën të gatshëm për mbajtjen e një samiti të tillë.

Takimi BE-Turqi mund të zhvillohet në fund të nëntorit ose nga fillimi i muajit që vjen. Njoftimi u bë gjatë punimeve të një tjetër samiti të rëndësishëm, atij dyditor të Maltës mes Bashkimit Europian dhe vendeve afrikane.

“Jemi të bindur se do të arrijmë të vendosim një marrëdhënie nga e cila do të përfitojnë të dyja palët përsa i takon krizës së ngutshme të emigracionit”, ishin komentet e Tusk, të cituara nga agjencia gjermane e lajmeve DPA.

Një optimizëm të ngjashëm përcolli dhe Merkel, që këmbëngul se ka pasur progres në përpjekjet për vulosjen e një pakti me Ankaranë, i cili do të ndihmojë në zgjidhjen e ngërçit. Por, si gjithmonë e kujdesshme në pohimet e saj, kancelarja shtoi se samiti do të shënojë vetëm fillimin e një procesi mjaft të gjatë.

Shpresat e bllokut janë që Turqia të mbajë një pjesë të emigrantëve. Aktualisht ajo strehon rreth 2 milionë sirianë të shpërngulur prej konfliktit të përgjakshëm më shumë se katërvjeçar. Në këmbim të ndihmës së vetë, Ankaraja kërkon nga Brukseli një asistencë financiare prej 3 miliardë eurosh.

Në muajin tetor, Merkel udhëtoi drejt Turqisë pak pas shpërthimit të fuqishëm në kryeqytetin turk që mori më shumë se 100 jetë njerëzish. Vizita u pa gjerësisht si përpjekje e kancelares gjermane për të zbutur marrëdhëniet me presidentin Erdogan, në një kohë kur si kriza e refugjatëve ashtu dhe luftimet në Lindjen e Mesme sa vijnë e intensifikohen.

Top Channel