Vëllazërorja në Prishtinë, trajnerët dhe kapitenët: Ishte një festë kombëtare

13/11/2015 00:00

Ashtu edhe si është pritur, miqësorja Kosovë-Shqipëri nuk ishte një ndeshje e zakonshme. Duke nisur nga pritja madhështore e futbollistëve të Kombëtares shqiptare në fushë.

Dhjetëra mijëra tifozë në stadiumin e Prishtinës, ku mbizotëronin ngjyrat kuq e zi, e bënë këtë ndeshje të veçantë duke përkrahur njëzëri të dyja skuadrat.

Ndërsa, kur skuadrat shënuan nga dy gola secila, janë duartrokitur dhe brohoritur nga të gjithë të pranishmit në stadium me thirrjet “Prishtina, Shkupi, Tirana, Presheva” “Shqipëri Etnike”, “UÇK”, “O sa mirë me qenë shqiptar” “Adem Jashari” e të tjera.

Ndërsa, tifozëria e Prishtinës, “Plisat”, shpalosën një flamur gjigand kombëtar.

Për të parë ndeshjen e shumëpritur në Kosovë kanë udhëtuar shqiptarë nga të gjitha trevat, të cilët e kanë cilësuar si festë të të gjithë kombit. Biletat e shitura kanë kaluar kapacitetin e stadiumit, duke mbushur edhe shkallët si kurrë ndonjeherë.

Të interesuar për të parë ndeshjen pati edhe jashtë stadiumit, në çatitë e dritaret e pallateve, por edhe në institucione shtetërore si Ministria e Punëve të Brendshme, punonjësit e së cilës kishin dalë në tarracë.

Menjëherë pas ndeshjes, në konferencë për media dolën kapitenët dhe trajnerët e të dy skuadrave, të cilët janë shprehur të kënaqur me lojën  dhe cilësinë e futbollistëve, pavarësisht terrenit të vështirë në fushë. Ata vlerësuan ndeshjen si festë mbarshqiptare.

Lorik Cana, kapiten i Kombëtares: Ishte me të vërtetë një atmosferë fantastike, siç e kemi pritur dhe me një festë vërtetë mbarshqiptare. Nga aspekti teknik e dinim që do të përballeshim me vështirësi, jo vetëm nga aspekti i fushës që ishte shumë e vështirë të prezantonim spektakël më të mirë, por edhe nga cilësia e kundërshtarit sepse kanë lojtarë shumë të mirë.

Gianni de Biasi, trajner i Kombëtares: Në një lojë mes të afërmish nuk ka probleme, jam shumë i lumtur që ishim në stadium. Mendoj që luajtëm një ndeshje normale në një fushë që nuk ishte shumë e mirë.  Federata e Kosovës ka nisur një projekt të ri dhe shpresoj që përfaqësuesja mund të luajë në Botërorin e 2018-s.

Albert Bunjaku, trajner i përfaqësues së Kosovës: Një festë si kjo nuk ka mundur të përfundojë më mirë, në këtë mënyrë siç ka përfunduar me një lojë të mirë prej dy kombëtareve, një angazhim, një kreativitet. Me të vërtetë ka qenë një atmosferë që e kemi dëgjuar gjatë tërë kohës. Me lojë jam shumë i kënaqur, ka elemente interesante duke pasë parasysh që kemi një grup të lojtarëve që janë të ri.

Samir Ujkani, kapiten i përfaqësues së Kosovës: Besoj se ka qenë një festë me të vërtetë shumë e madhe dhe ka qenë edhe një test shumë i mirë për Kosovën. Jam shumë i kënaqur me rezultatin që kemi bërë dhe me ndeshjen.

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka vlerësuar cilësinë e lojtarëve të Kosovës, në veçanti të Bernard Berishës, Loret Sadikut e të tjerëve, duke shtuar se rezultati 2:2 është rezultat i mirë për domethënien e lojës dhe për punën që lojtarët treguan në fushë.

Top Channel