PS në Lezhë, “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”

13/11/2015 00:00

Në një aktivitet të mbajtur gjatë turit të PS-së në Lezhë, me temë “të pastrojmë më tej Shqipërinë”, ministrja e Arsimit foli përpara të pranishmëve këtë të premte mbi risitë që janë sjellë nga dikasteri i drejtuar prej saj, duke nisur që nga pastrimi i teksteve me gabime të shumta, si dhe riformatimi i Maturës Shtetërore, për të cilën tha se kishte rënë prè e njerëzve me pushtet që shqyenin dyert e shkollave dhe të klasave për t’u ofruar kopjet nxënësve maturantë.

“Tekste të një lënde me 11 alternative nën diktat politik dhe jo sic duan mësuesit. Trashëguam mbi 1000 tekste me mbi 11 alternativa e prodhuar për interesa klienteliste. E pastruam shkollën nga tekstet e dobëta me një proces gjithëpërfshirës, duke pyetur të gjithë mësuesit e Shqipërisë. Shpëtuam kështu 480 mijë nxënës shqiptarë, prej marrjes së dijes së deformues falë këtyre teksteve me gabime të rënda. Mbajtëm premtimin që fëmijët të kenë tekste që vijnë nga shtëpi prestigjioze. Ky proces do të vazhdojë deri në vitin 2017. Mbajtëm premtimin për të shtuar numrin e familjeve që përfitojnë libra falas. Këtë vit kanë përfituar edhe 13500 fëmijë të tjerë krahasuar me një vit më parë. I kthyem dinjitetin maturës shtetërore, pasi vetëm 600 ditë më parë maturantëve u lejohej kopja. Shqyhej dera e shkollës dhe klasës për të çuar kopjet e provimit nga njerëz të lidhur me pushtetin. Viti shkollor 2014-2015 shënoi vitin e kthesës, nxënësit mësuan të vërtetën e punës së palodhur. Dëshmuam ndershmëri dhe një proces të paanshëm. Vlerësuam mbi bazën e maturës shtetërore edhe 10 gjimnazet më të mira në vend, të renditura mbi bazën e rezultateve, sikurse kryeministri Rama vlerësoi 6600 nxënës dhe 600 mësues që mundësuan rezultate të larta shkollore. Realizuam kartën e performancës, për të parë çfarë ndodh në çdo shkollë dhe në çdo orë mësimi. Sot karta e performancës është realitet për shumë shkolla në vend, një dokument që mundëson analizën e performancës së secilës shkollë, duke i dhënë familjeve të mësojnë realisht mbi cilësinë e shkollave”, tha ministrja Nikolla.

Top Channel