Beirut, 44 viktima nga dy shpërthime kamikaze

13/11/2015 00:00

Grupi terrorist i Shtetit Islamik mori përsiper autorësinë e dy sulmeve kamikaze ne kryeqytetin libanez, Beirut, ku u vranë të paktën 41 persona dhe u plagosën 200 të tjerë. Shpërthimet ndodhën në një rrugë të populluar me dyqane në jug të Beirutit në periferinë e Burj Al Barajneh, bastion i forcave të Hezbollahut që luftojnë kundër ISIS në Siri.

Ushtria bëri me dije se dy persona me eksplozive në trup ishin autorë të sulmve. Kamikazi i parë shpërtheu eksplozivin jashtë një xhamie shiite, ndërsa i dyti u hodh në erë pranë një furre buke. Trupi i një agresori të tretë i cili nuk arriti të aktivizonte lëndën shpërthyese u gjet praëe zonës ku ndodhi shpërthimi i dytë.

Në një deklaratë që nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur, ISIS thotë se ushtarët e tij të kalifatit, ishin autorë të sulmeve. Grupi tha se 2 nga agresorët ishin palestinezë dhe një sirian. Edhe Hezbollahu akuzoi Shtetin Islamik se kishte vënë në shënjestër civilë të pafajshëm, përfshirë persona të paarmatosur dhe të moshuar.

“Ishte një sulm terrorist satanik”, tha një zyrtar i Hezbollahut për mediat ndërkombëtare. Lëvizja u zotua të vazhdojë luftën kundër terroristëve dhe paralajmëroi se kjo do të jetë një luftë e gjatë. Qeveria libaneze e shpalli të premten ditë zie kombëtare.

Kryeministri Tammam Salam i cilësoi sulmet të pajustifikueshme dhe bëri thirrje për unitet kombëtar, përballë përpjekjeve për krijimin e përçarjeve në vend. Ky ishte sulmi më i rëndë me bombë në Beirut që prej përfundimit të luftës civile libaneze në 1990.

Shtëpia e Bardhë dënoi ashpër shpërthimet duke i cilësuar si akte të tmerrshme terroriste. Në një deklaratë, thuhet se sulmi do të përforconte edhe me shumë përkushtimin amerikan për të mbështetur institucionet libaneze, për garantimin e sigurisë nëe vend. Irani, një aleat kyç i Hezbollahut, dënoi gjithashtu sulmin.

Spitalet në jug të Beirutit u kanë bërë thirrje njerëzve të dhurojnë gjak dhe i kanë kërkuar banorëve në zonë të mos bllokojnë hyrjet e spitalit në mënyrë që ambulancat dhe stafi i emergjencës të kalojnë sa me shpejtë. Dëshmitarë thanë se skenat pas shpërthimeve, që ndodhën brenda pak minutash,  ishin rrënqethëse.

Bastionet e Hezbollahut në jug të Beirutit janë vënë disa herë në shënjestër të sulmeve, që kryesisht merren përsipër nga militantë sunitë. Ata kundërshtojnë vendimin e lëvizjes për të dërguar luftëtarë në Sirinë fqinje, në mbështetje të forcave të Bashar Al-Asadit.

Top Channel