Rusia ndalon fluturimet e “EgyptAir” drejt saj, nga 14 nëntori

13/11/2015 00:00

Rusia ka ndaluar të gjitha fluturimet në hyrje nga kompania ajrore shtetërore e Egjiptit, vetëm dy javë pasi një avion rus për pasagjerë u rrëzua mbi gadishullin Sinai, një rrëzim që me të gjitha gjasat ka ardhur si pasojë e veprave të militantëve xhihadistë të Shtetit Islamik në atë rajon.

Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar i Aeroportit “Domodedovo” të Moskës, këtë të premte, ndërkohë që agjencia ruse e Aviacionit, “Rosaviatsia” refuzoi të komentonte. Edhe në Egjipt, ministri i Aviacionit Civil, Hossam Kamal, është shprehur se autoritetet ruse nuk ia kanë konfirmuar zyrtarisht këtë vendim Kajros.

Zyrtari në fjalë i aeroportit rus deklaroi më tej se ndalimi i fluturimeve të “EgyptAir” do të  hynte në fuqi që prej së shtunës.

Lëvizja e fundit nga Moska vjen vetëm një javë, pasi Rusia pezulloi të gjitha fluturimet e saj për pasagjerë drejt Egjiptit, për shkak të rrëzimit të avionit mbi Sinai, një akt të cilin e ka marrë përsipër dega e Shtetit Islamik në gadishullin egjiptian.

Avioni “Airbus A321” ishte duke rikthyer disa pushues në Shën Pjetërburg të Rusisë nga resorti turistik buzë Detit të Kuq, në Sharm el-Sheikh.

Të 224 personat në bord mbetën të vdekur, në atë që militantët xhihadistë e përshkruan si hakmarrje ndaj sulmeve ajrore ruse në Siri, të cilat nisën në fund të shtatorit. Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë bërë të ditur se nga hetimet rezulton që ngjarja të ketë ndodhur prej një bombe në bordin e avionit.

Por, deri më tani, asnjë hetim zyrtar nuk e ka konfirmuar pretendimin e vendeve perëndimore, as atë të militantëve të Shtetit Islamik. Megjithatë, jo pak vende kanë anuluar fluturimet e tyre në drejtim të Sharm el-Sheikh, si masë parandaluese të ndonjë tragjedie të radhës.

Top Channel