Itali, 7 vite e 10 muaj burgim për biznesmenin që i siguronte prostituta Berlusconit

13/11/2015 00:00

Gjykata e Barit në Itali ka shpallur fajtor një biznesmen, i cili akuzohej se kishte paguar prostituta për të marrë pjesë në festat e organizuara nga ish-kryeministri, Silvio Berlusconi, dhe e ka dënuar atë këtë të premte me 7 vite e 10 muaj burgim.

Biznesmeni Giampaolo Tarantini akuzohet se siguronte prostitutat për Bersluconin, si një mënyrë për të rënë në sytë e kryeministrit dhe për të fituar më pas kontrata të majme publike.

Ish-kryeministri Berlusconi, tashmë 79 vjeç, i cili udhëheq ende partinë e tij konservatore “Forza Italia” por i larguar nga qeveria prej 2011-s e më pas i dënuar nga postet publike, nuk ishte i pranishëm në seancën gjyqësore.

Veç biznesmenit, janë akuzuar edhe 6 persona të tjerë, përfshirë Sabina Beganoviç, një zonjë e dyshuar si shoqëruese, e cila shpesh herë është mbiquajtur nga mediat italiane si “Mbretëresha Bee”. Prej tyre, 3 janë dënuar, përfshi edhe Beganoviçin me 16 muaj heqje lirie, ndërsa 3 të tjerët janë liruar.

Ky vendim, megjithatë nuk është përfundimtar pasi është Gjykata e Barit është e shkallës së parë. Tarantini dhe Beganoviç, të cilët mohojnë të kenë shkelur ligjin, kanë dy mundësi apelimi përpara se të dënohen përfundimisht apo të përballen me qelitë.

Berlusconi ka rënë prè e një serie skandalesh seksuale që kanë minuar karrierën e tij politike. Gjithsesi, ai u lirua për mungesë provash në çështjen “Rubi”, ku akuzohej se kishte paguar për seks Karima El Mahroug, e njohur gjerësisht edhe si “Rubi, vjedhësja e zemrave”, kur ishte ende minorene.

Çështja “Tarantini” nisi në vitin 2009, përpara se të zbulohej ajo “Rubi”, kur Patrizia d’Addario publikoi regjistrime në një media italiane, të cilat tha se i kishte bërë me telefonin e saj celular gjatë një nate pasionante me Berlusconin pas një feste në mbrëmje. Ajo tha se Tarantini kishte siguruar mundësinë që ajo të shkonte dhe pas festës edhe e kishte paguar.

Në regjistrime, mashkulli që dyshohet të jetë Berlusconi i thotë D’Addarios ta priste në “krevatin e madh” sa të bënte një dush. Ndërkohë, vetëm pak pas publikimit të këtij skandali, Berlusconi deklaroi se “nuk ishte shenjtor”, në një mënyrë të çuditshme duke mos kërkuar falje.

Top Channel