Bushati, në Çeki me vendet e Vishegradit dhe për samitin e Pragës

13/11/2015 00:00

Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati ka marrë pjesë këtë të premte në Konferencën e përvitshme të ministrave të Jashtëm të vendeve të Vishegradit (Republika Çeke, Hungari, Poloni, Sllovaki) dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, ku ishin të pranishëm gjithashtu edhe zv.presidenti i Komisionit Europian, Frans Timmermans, si dhe Sekretari i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Philip Hammond.

Në samitin e mbajtur në Pragë, krahas bisedimeve për mekanizmat e përforcimit të bashkëpunimit rajonal në kuadër të procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, një rëndësi të veçantë kanë marrë edhe diskutimet mbi rezultatet e raporteve të Komisionit Europian për vendet e rajonit.

Pas takimeve dhe punimeve të Konferencës, përmes një deklarate të përbashkët vendet e Vishegradit ritheksuan gatishmërinë e tyre për të asistuar vendet e rajonit nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencës së tyre lidhur me procesin transformues të integrimit europian. Sa i përket vendit tonë, ata vlerësuan rezultatet pozitive të reformave në Shqipëri, si dhe mbështetën fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

Në këto bisedime, ministri Bushati mësohet të ketë folur edhe për krizën e refugjatëve me të cilën po përballet Europa, duke theksuar se “kjo krizë nuk duhet të përbëjë kurrsesi një pengesë dhe duhet parë e ndarë nga procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”. “Kriza aktuale ka treguar ndërvarësinë midis vendeve anëtare dhe atyre kandidate, çfarë e bën të nevojshme qasjen gjeostrategjike të BE-së kundrejt këtij fenomeni”, është shprehur Bushati.

Vendet e Vishegradit kanë shprehur gjithashtu mbështetjen e tyre për rajonin e Ballkanit në përballjen e krizës së refugjatëve, duke qenë të gatshëm për të asistuar me hapa teknike dhe financiare në ngritjen e një rrjeti efektiv koordinatorësh, për të siguruar një bashkëpunim të qëndrueshëm me partnerët e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër trafikimit dhe kontrabandës.

Në Çeki, ministri Bushati mori pjesë edhe në Samitin europian të Pragës, qëllimi i të cilit është të stimulojë debatin mes ligjvënësve të nivelit të lartë dhe opinionbërësve nga e gjithë Europa, për çështjet kryesore që shqetësojnë sot Bashkimin Europian, si aftësia e institucioneve për të administruar krizat, forcimi i politikës europiane të Fqinjësisë, si dhe ecuria e procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë samit, kryediplomati Bushati ka theksuar nevojën e një mbështetjeje të fortë politike nga vendet anëtare për integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Falë procesit të integrimit europian, Ballkani Perëndimor po kalon gradualisht në një fazë të avancuar të bashkëpunimit rajonal. Megjithatë, është ende e domosdoshme që të zbatohen një sërë projektesh, që do të mundësojnë orientimin përfundimtar drejt së ardhmes”, ka thënë ministri Bushati.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel