Bombarduesit amerikanë, sërish në ujërat e detit të Kinës Jugore

13/11/2015 00:00

Dy bombardues amerikanë “B-52” fluturuan shumë pranë ishujve artificialë të krijuar nga Pekini në detin e Kinës Jugore gjatë kësaj jave, si dhe u kontaktuan nga kontrollorët kinezë, por vazhduan misionin e tyre të pafrikësuar. Lajmi është bërë i ditur të enjten nga vetë Pentagoni, apo Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-ve.

Patrullimi i fundit i amerikanëve në ujërat e diskutueshëm të detit të Kinës Jugore ndodhën vetëm pak kohë përpara vizitës së Presidentit Barack Obama në rajonin në fjaë gjatë javës së ardhshme, për të marrë pjesë në Samitin Aziatiko-Paqësor, ku pritet të ritheksojë angazhimin e Uashingtonit për lirinë e lundrimit dhe fluturimeve ajrore në zonën e shumëdiskutueshme.

Kina ka pretendime mbi pjesën më të madhe të detit të Kinës Jugore, përmes të cilit kalojnë mbi 5 trilionë (bilionë) dollarë të tregtisë globale çdo vit, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë thënë prej kohësh se do të vijojnë të zhvillojnë patrullime, për të siguruar kalimin e papengueshëm për këdo.

Vietnami, Malajzia, Brunei, Filipinet dhe Taivani kanë gjithashtu pretendime të mbivendosura në të njëjtin rajon.

Në misionin e tyre më të fundit, mesnatën mes 8 dhe 9 nëntorit dy bombardues amerikanë fluturuan “në zonën” e ishujve Spratly, por nuk iu afruan kësaj herë në 12 milje detare zonës, që Kina e pretendon si territorin e saj sovran përreth ishujve, të cilat ajo vetë i ka krijuar artificialisht. Lajmi u konfirmua edhe nga zëdhënësi i Pentagonit, Bill Urban, i cili tha se avionët vijuan misionin e tyre të papenguar, pavarësisht se u kontaktuan nga kontrollorët kinezë.

Ndërkohë në Pekin, i pyetur mbi këtë çështje, zëdhënësi i ministrit të Jashtëm kinez, Hong Lei tha se Kina respekton të drejtën e të gjitha vendeve për të ushtruar të drejtën e lundrimit dhe fluturimeve ajrore në detin e Kinës Jugore, por në përputhje me ligjin ndërkombëtar. “Ne kundërshtojnë me vendosmëri cilindo vend, që në emër të lirisë së lundrimit dhe fluturimeve ajrore shkelin dhe dëmtojnë ligjin ndërkombëtar, duke shkelur edhe sovranitetin e Kinës dhe interesat e saj të sigurisë”, shtoi ai.

Ndërsa zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest tha se “nuk është në dijeni nëse deti i Kinës Jugore do të jetë në axhendën zyrtare të ndonjërit prej 3 samiteve në Azi, në të cilat Obama do të jetë pjesëmarrës”, por shtoi se “kjo çështje do të jetë në mendjet dhe buzët e udhëheqësve botërorë që do të mblidhen atje”.

Ndalesa e parë e Obamës do të jetë në Manila, për Samitin Aziatiko-Paqësor të Bashkëpunimit Ekonomik, në të cilin Presidenti kinez, Xi Jinping do të jetë gjithashtu i pranishëm. Më pas, Presidenti amerikan do të udhëtojë drejt Kuala Lumpurit për samitet “ASEAN” dhe “Azia Lindore”.

Top Channel