Vlorë, 3 të arrestuar për posedim kokaine; dy minorenë

13/11/2015 00:00

Policia e Vlorës ka finalizuar me sukses një operacion të koduar “Trekëndëshi”, duke mundur të sekuestrojë një sasi lënde narkotike prej 640 gramë të llojit kokainë dhe një armë zjarri pistoletë të tipit “Zastava”, e gjithashtu ka arrestuar në flagrancë edhe 3 poseduesit e drogës.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit Gj.M., 15 vjeç; Xh.V., 16 vjeç dhe Ilia Papa, 50 vjeç; dy të parët banues në Vlorë, respektivisht në lagjet “Partizani” dhe “Pavarësia”, ndërsa i treti në fshatin Babicë e Madhe.

Operacioni është kryer rreth mesditës së të premtes, ndërkohë që tre të arrestuarit akuzohen për shpërndarje dhe shitje të lëndës narkotike, që kapte një vlerë tregu prej 70 eurosh doza.

Ndalimi i tyre është bërë pas një pune njëmujore mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative. Dy minorenët janë arrestuar në rrugën kryesore drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, të cilëve gjatë kontrollit fizik iu gjetën 350 gramë kokainë dhe arma e tipit “Zastava”, ndërkohë që baza e lëndës narkotike u mësua të ishte në fshatin Babicë e Madhe, ku u kap edhe shtetasi Ilia Papa, të cilit iu gjetën edhe 290 gramë kokainë në dollapin e rrobave. Këtij të fundit iu sekuestrua edhe një automjet tip “Peugeot 306” me targa AA 523 KL.

Në komunikatën për mediat, policia njofton se në rast se do të shitej në treg, vlera totale e kësaj lënde narkotike do të kapte shifrat e 50 mijë eurove.

Top Channel