Rinisin gërmimet në Rashkë të Serbisë, pa palën kosovare

13/11/2015 00:00

Rifillojnë gërmimet në vendndodhjen e Rashkës, në Serbi, për të kërkuar nëse ndodhen aty trupa të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Lajmin e ka konfirmuar kryesuesi i Komisionit të qeverisë së Kosovës për të Pagjetur, Prenk Gjetaj, i cili ka bërë të ditur gjithashtu se, pala serbe i ka filluar punimet pa praninë e palës kosovare.

Këtë të premte, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë zhvilluan një takim për të rënë dakord lidhur me punimet në këtë vendndodhje.

Sipas Prenk Gjetajt, pala kosovare nuk ka qenë e ftuar dhe, si rrjedhojë, ka kërkuar që të ndalohen punimet, deri në momentin që ata të jenë të pranishëm. Ai shtoi se kanë rënë dakord për qasje të përbashkët në kuptimin e gërmimeve vlerësuese në zonën e Rashkës.

Fillimisht ishte thënë se, në këtë zonë ndodhen trupat e rreth 200 kosovarëve të zhdukur në luftë, por më pas, pas disa kërkimeve të kryera, pala kosovare nuk ka pranuar të flasë më për numrin e të zhdukurëve, që mund të jenë varrosur në këtë vendndodhje.

Top Channel