Precedentët dhe dy vendimet e gjykatave për viktimën e Dajtit

14/11/2015 00:00

Enton (Elton) Nikaj, 30-vjeçari i mbetur i vrarë mesditën e së mërkurës në Tiranë, nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare.

Në vitin 2006, ai u arrestua nga Policia e Tiranës për një vrasje dhe u dënua përfundimisht nga Gjykata e Lartë në qershor të vitit 2015, me 14 vite burg, pas një sërë procesesh gjyqësore në dy shkallët e mëparshme të gjykimit.

Por në 22 korrik 2013, Enton Nikaj përfiton lirimin me kusht nga Gjykata e Krujës, e cila pranoi që periudha e mbetur e burgimit, ajo e 10 muajve dhe 26 ditëve të konvertohej në 18 muaj liri me kusht, ku ky i fundit nuk duhej të kryente asnjë vepër penale dhe nuk duhej të mbante armë.

Por, vetëm 5 ditë pas lirimit të tij, Nikaj përfshihet në një tjetër ngjarje kriminale. Fillimisht hetimi ndaj tij nisi me akuzat e “vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, por më pas organi i akuzës vendosi që në mungesë të provave, këto akuza të ndryshoheshin në “shkatërrim të pronës” dhe “kanosje”.

Por edhe pse vetë i dëmtuari deklaron se, kanë qenë dy persona me armë që i kanë dalë përpara makinës, ku njëri ishte Enton Nikaj, Prokuroria argumenton se në vendngjarje janë gjetur gëzhoja të qëlluara nga vetëm një armë dhe, për këtë arsye, Nikaj nuk akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa lidhur me akuzën e ndryshuar të kanosjes, gjykata shprehet se, edhe pse ka elementë të kësaj vepre penale, ajo nuk mund ta deklarojë fajtor të pandehurin Enton Nikaj për këtë vepër penale, pasi sipas ligjit “për dhënie amnistie” të vitit 2014, kjo vepër penale amnistohet.

Në përfundim, Enton Nikaj u shpall fajtor vetëm për veprën penale të “shkatërrimit të pronës” dhe u dënua me 2 vite e 3 muaj burg, dënim të cilin do ta përfundonte më 14 gusht 2015, kur dhe iu drejtua gjykatës për lirimin e tij.

Top Channel